Një festë mes disa miqsh është kthyer në një tragjedi brenda pak minutave. Ngjarja ka ndodhur në Miami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Yemil Arguelles, baba i dy fëmijëve, ishte i qeshur dhe bënte shaka pak para se të qëllohej nga një plumb qorr.

Çastet e fundit të jetës së 40-vjeçarit janë të filmuara nga kamera. Miqtë ishin mbledhur në oborrin shtëpisë dhe këndonin e kërcenin. Një plumb qorr goditi në gjoks 40-vjeçarin Arguelles. Në pamje, ai shihet teksa rrëzohet nga karrigia. Babai i dy fëmijëve u transportua në spital, ku fatkeqësisht ndërroi jetë.

Miqtë e 40-vjeçarit i thanë policisë se menduan që Arguelles kishte pësuar atak kardiak. Policia dyshon se dikush në zonë ka qëlluar me armë në ajër dhe plumbi preku 40-vjeçarin. Hetuesit kanë përjashtuar mundësinë që me armë të ketë qëlluar dikush që ka qenë i ftuar në festë. Autoritetet janë duke hetuar për të gjetur personin përgjegjës.

/tvklan.al