Në Zagreb të gjithë shpërthyen në momentin që Manzukiç tundi për herë të dytë rrjetën e anglezëve. Emocionet nuk i përmbajtën as lojtarët në fushë lojtarët që ranë mbi fotografët gjatë festimit të golit të dytë.

Një vend i vogël me ëndrra të mëdha. Ashtu siç shkruhet në autobusin e ekipit kroat, Daliç dhe skuadra e tij kanë shkruar një prej sukseseve më të mëdha të futbollit kroat. Për herë të parë Kroacia është në finalen e Kupës së Botës, pas eleminimit të Anglisë në kohën shtesë.

“Nuk jemi ndalur kurrë dhe nuk do ta bëjmë edhe të dielën, do të jemi kampionë”, tha Zlatko Daliç, trajner i Kroacisë.

Dëshpërim dhe lot në kampin tjetër. Anglia nuk i ka shpëtuar mallkimit të gjysmëfinaleve. Ka humbur të katërtën që prej vitit 1950. Mediat angleze gjithsesi i shikojnë si heronj futbollistët e tyre edhe pse ëndrra për tu bërë sërish kampionë të botës u shua.

“I shkuam afër asaj që nuk e mendonim në fillim, nuk mendoj që mund të jepnim më shumë gjatë këtyre javëve”, tha Gareth Southgate, trajner i Anglisë.

Emocionet e gjysmëfinales u përjetuan edhe në samitin e NATO-s. liderët e pranishëm panë minutat e fundit së bashku. I pari që ngushëlloi kryeministren Thereza May për humbjen ishte kryeministri Rama, duke i thënë se Britania kishte bërë vërtet diçka për Ballkanin Perëndimor.

Pak më vonë postoi një foto me presidenten kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç ku të dy duken të buzëqeshur për suksesin e skuadrës ballkanase.

Tv Klan