Tifozët e “furisë së kuqe” e shijuan fitoren me Goleade, ndërsa për fansat nga Amerika-Qendrore ky ishte një makth

Tifozët e Spanjës ishin shumë të lumtur pas fitores me Goleadë ndaj Kosta Rikës në takimin e parë të Kupës së Botës.

Spanjollët imponuan stilin e tyre të lojës ndaj përfaqësueses nga Amerika-Qendrore, duke mos u lejuar atyre hapësira.

Kërcënimet ishin të pakta në portën e “Furisë së kuqe” ndërkohë që ata festuan golat e Olmo, Gavi, Marco Asensio, Carlos Soler, Alvaro Morata dhe dygolëshi i Ferran Torresit.

 “Përjetuam momente shumë të bukura. Me të vërtetë që na pëlqeu. Nuk prisnim kaq shumë gola. Po prisnim një fitore, por ata na befasuan ne. Ishte fantastike, ekipi luajti në mënyrë perfekte. Me të vërtetë që na shijoi”, është shprehur një tifoze e Spanjës.

 Kjo ishte fitorja më e madhe e “Furisë së kuqe” në një kampionat botëror.  Për tifozët e Kosta Rikës ky ishte një makth që duhet të përfundonte sa më shpejt.

Me qindra u mblodhën në një qendër tregtare në kryeqytetin San Hose për të parë debutimin e kombëtares së tyre, e cila pësoi një disfatë historike.

Në përfundim të sfidës, të zhgënjyer të shumtë ishin ata që thoshin se të tillë humbje nuk e prisnin.

Kosta Rika, e cila arriti në çerekfinalet e Kupës së Botës në vitin 2014, nuk mundi të gjuante asnjëherë në portën e Spanjës. Sfida e radhës do të jetë kundër Japonisë, e më pas me Gjermaninë në dy përballjet e mbetura të Grupit E.

Klan News