Grumbullime mes masash të lehtësuara, por Biden nuk e arriti objektivin

4 Korriku i këtij viti në Shtetet e Bashkuara vjen me më tepër hare dhe optimizëm. Festa e Pavarësisë u prit me këtë spektakël fishekzjarresh në portin e Çikagos. Ashtu si një vitin e kaluar, qytetarët janë sërish në kushtet e pandemisë së Covid-19, edhe pse janë shumë herë më të lirë, falë lehtësimit të masave për shkak të vaksinimit, që ka ndikuar në reduktimin drastik të infektimeve ditore.

Deri më tani 54% e amerikanëve janë vaksinuar plotësisht, një nivel që në fakt është larg objektivit të presidentit Joe Biden, i cili synonte që brenda 4 Korrikut të ishte arritur imuniteti i tufës duke vaksinuar 70% të popullsisë me të dyja dozat. Shtetet e Bashkuara kryesojnë listën botërore të të prekurve dhe viktimave.

Autoritetet konstatojnë shtim të qytetarëve që hezitojnë të vaksinohen ose të marrin dozën e dytë, duke u besuar konspiracionistëve për pasojat negative të vaksinave mbi të dhëna krejtësisht të pabaza.

Pavarësisht rrezikut që paraqet mutacioni i ashpër Delta, në shumë qytete pati grumbullime masive dhe festime, ndërsa mbi 47 milionë amerikanë kanë planifikuar të udhëtojnë për këtë ditë festive, një rritje me 40% nga viti i kaluar.

Tv Klan