Opinion-Festivali 11-të ishte një festival që doli nga skenat e zakonshme, të organizuara në vitet e komunizmit. Ai pati një frymë më liberale, një imazh më të kuruar dhe jehonë më të madhe në publik. Në të vërtetë ky ishte edhe fataliteti i tij.

Nga një festival që mbeti në kujtesën e shumë shikuesve si një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore pas vitit 1945, ai u shndërrua edhe në një prej problemeve më të mëdha për vetë protagonistët e tij, muzikantë, këngëtarë, artistë, regjisorë dhe prezantues.

Festivali i 11-të provokoi atë që u quajt goditja e ashpër e liberalizmit në art dhe kulturë. Ishte shenja e parë e një lufte që Enver Hoxha dhe byroja politike nisi ndaj të gjithë atyre që konsideroheshin shenja të liberalizmit dhe që çoi në eliminimin e të gjithë funksionarëve të lartë për artin dhe kulturën.

Menjëherë pas mbarimit të festivalit, Enver Hoxha goditi në seancën plenare të Kuvendit Popullor të asaj kohe, tendencat moderniste. Kritikat vijuan duke prekur gjithë fashën e artit, teatrin, kinematografinë, letërsinë. Kjo ishte një prej “gjuetive” më të tmerrshme që kishte pasur kultura shqiptare në 100 vjet.

Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 29.12.2010, është përqendruar pikërisht te ngjarja e Festivalit të 11-të. Jehona e madhe e festivalit befas pësoi një goditje të menjëhershme.

Enver Hoxha deklaroi ashpër në plenium se Festivali i 11-të kishte pasur ndikime dhe elementë të jetës perëndimore dhe borgjeze, të cilat sipas tij ishin të degjeneruara.

Që nga data 9 Janar 1973 festivali u vendos në qendër të kritikave. Drejtuesi i RTSH në atë kohë dhe anëtari i Komitetit Qendror, Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami, ishin dy nga personazhet të cilët u goditën rëndë. Lubonja do të ishte ndër të parët që do të largohej nga drejtimi i lartë i partisë. Më pas ai do të izolohej, do të internohej dhe më pas do të burgosej, nga ku do të dilte vetëm në vitin 1990. Sipas Bujar Kapexhiut, pas festivalit nisën të bëhen mbledhje të shumta, të cilat siç i përshkruan ai, ishin të trishtueshme.

“Ata që kishin inate personale me dikë përfituan nga situata, u ngritën dhe filluan të krijojnë absurditete për të goditur ata persona që deri në atë kohë ishin ajka e artit shqiptar dhe mundoheshin të bënin diçka”,tha Kapexhiu.

“Ishte vajza dhe një nga djemtë e Enver Hoxhës ata që bënë alarmin. Ata kishin qenë në sallë dhe shkuan dhe i thanë: “Babi është skandal, as Sanremo nuk e bën ashtu festivalin. Nuk ekziston asnjë këngë për ty, të kanë harruar. Nuk ka këngë për partinë, ka britma, kitara e saks”. Ata shprehën pakënaqësinë e tyre tek i ati dhe ai kërkoi të dëgjojë festivalin”,tha Sherif Merdani. /tvklan.al