Pandemia e koronavirusit ka vënë në pikëpyetje edhe organizmin e Festivalit të Filmit në Kanë. Autoritetet kanë lajmëruar se për të mos krijuar turma të mëdha të njerëzve dhe duke respektuar të gjitha masat e përcaktuara nga OBSH-ja, ky event mund të anulohet.

Edhe pse ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht, burimet pohojnë se është vetëm çështje kohe kur do të publikohet njoftimi. Festivali ndërkombëtar i filmit mbahet çdo vit në Francë.

Këtë vit ishte parashikuar që festivali të mbahej nga data 14 deri më 20 Maj në rast se nuk anulohet. Ndryshe nga shumë festivale tjera të rëndësishme, ai i Kanës është i rezervuar vetëm për industrinë e filmit dhe biletat nuk shiten për publikun e gjerë. 

Organizatorët i ndajnë biletat për regjisorët, producentët, aktorët, publicistët, shpërndarësit dhe gazetarët.

Aktualisht në Francë ka 127 të vdekur dhe mbi 3000 të infektuar. Kryeministri francez ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme duke pezulluar të gjitha aktivitete publike, tubimet, ato sportive dhe kulturore.

Po ashtu edhe kompanitë e mëdha të filmit si Universal Pictures, Disney dhe Netflix kanë vendosur ndërprerjen e xhirimit të filmave për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Tashmë është ndërprerë xhirimi i filmave “Jurassic World: Dominion” e “Flint Strong”, si edhe disa projekte të tjera. Vazhdimi i ri i “Jurassic World” që nga muaji Shkurt është duke u xhiruar në Londër, mirëpo nga Universal konsiderojnë se është më mirë që të ndërpresin gjithçka për arsye sigurie.

Akoma nuk dihet se kur do të nisin sërish xhirimet e filmave. COVID-19 është përhapur në të gjithë botën duke prekur mijëra njerëz, ndërsa mbi 6.500 njerëz kanë vdekur.

Klan Plus