Organizatorët kishin planifikuar ta zhvillonin nga 12-23 Maj, por u shty

Pandemia e koronavirusit ka bërë që të gjitha aktivitete përfshirë këtu festivalet, filmat, koncertet, si dhe turnetë në të gjithë botën të pezullohen deri në kohë të pacaktuar.

Pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron ku paralajmëroi se do të shtynte gjendjen e emergjencës deri në 11 Maj ka bërë që edhe festivali më i rëndësishëm i filmit në Kanë, të shtyhet pa afat, mbase edhe anulimin total për këtë vit.

Organizatorët fillimisht e shtynë festivalin muajin e kaluar, duke thënë se ata synonin ta organizonin atë në qershor ose në korrik të këtij viti.

Por në deklaratën e fundit, thuhet se tashmë festivali nuk është i mundur të zhvillohet duke qenë se pandemia ende nuk dihet se kur do të përfundojë.

Ende nuk bëhet e ditur se kur do të jetë data më e afërt për t’u realizuar, por organizatorët e këtij festivali do e bëjnë publike nëse do të ketë një zhvillim për mirë, në uljen e rrezikshmërisë së infektimit me Covid-19.

Ndryshe nga shumë festivale të tjera të rëndësishme, ai i Kanës është i rezervuar vetëm për industrinë e filmit dhe biletat nuk shiten për publikun e gjerë. 

Festivali i Kanës fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej nga 12 deri në 23 Maj. Kur festivali u shty për herë të parë, presidenti i tij, Pierre Lescure, u shpreh se ai ishte optimist se do të mbahej këtë vit.

Në një intervistë për gazetën franceze Le Figaro, Pierre deklaroi se kulmi i epidemisë do të arrihet në fund të Marsit dhe se njerëzit  “do të marrin frymë” në Prill. Por viktimat dhe infektimet në Francë, duke qenë se janë në një trend të vazhdueshëm rritës, bën që çdo gjë të shtyhej.

Aktualisht në Francë ka 15 mijë të vdekur dhe mbi 143 mijë të infektuar.

Klan Plus