Festivali i Teatrit Antik në Butrint do të rezervojë për publikun kryevepra, të cilat do të kenë për regjisor emra të njohur të skenave evropiane.

Romeo dhe Zhuljeta pritet të jetë një nga muzikalet më të bukur me një kast prej 70 aktorësh e figurantësh.

Alfred Bualoti: “Të kesh gjashtë shfaqje, me katër regjisorë të mëdhenj, nuk është pak dhe është nder për cilindo festival, edhe ai më i madhi le të ishte në Evropë. Kështu do të thosha që ne do të startojmë me Ëndrrën e një nate vere, Shekspir, që vjen për herë të parë një trupë ruse e San Peterburgut me regjisorin e shquar Aleksandër Morfov. Vjen ndofta prej herë të parë si zhanër në festivalin e Butrintit dhe me përmasa të jashtëzakonshme. Trupa është e përbërë prej 70 vetash dhe vjen një muzikal Romeo dhe Zhuljeta, një bashkëpunim midis Teatrit Kombëtar, si të themi, të Operetës së Bukureshtit dhe Teatrit Kombëtar të Operetës së Budapestit. Në këtë drejtim, unë do thosha që do të jenë në tërësi shfaqje shumë të këndshme, do të kemi të bëjmë me shfaqje divertuese dhe që do të jetë një gjë krejt e veçantë ky edicion”.

Festivali i Teatrit Butrinti 2000 do të ngrejë siparin më 17 Korrik. Si çdo vit ai tërheq vëmendjen jo vetëm të pushuesve shqiptarë në Sarandë, por pritet që shumë turistë të huaj të jenë në shkallët e teatrit të qytetit antik.

Sipas organizatorëve rëndësia e këtij festivali rritet vazhdimisht duke e bërë ndër më tërheqësit në rajon dhe duke përmirësuar imazhin jo vetëm të jugut të vendit, por gjithë kulturës shqiptare në përgjithësi./tvklan.al