Veliaj: Shtëpitë muze ku u strehua komuniteti hebraik

Shtëpitë ku u strehua komuniteti hebraik në Tiranë do të kthehen në muze. Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku Erion Veliaj teksa ishte i pranishëm në festivalin e përbashkët kulturor Shqipëri-Izrael që po zhvillohet në Tiranë.

“Jam krenar që jam shqiptar kur dëgjoj historinë e një qyteti, – që sot kam unë fatin ta drejtoj, – i cili fillimisht kishte vetëm 200 hebrenj dhe në fund të luftës, në finale të asaj drame të madhe botërore kishte 2 mijë të tillë. Më vjen mirë, që, edhe në ditët e sotme ne jemi besnikë të kësaj historie. Kemi identifikuar dhe disa nga shtëpitë kryesore ku komuniteti hebraik është strehuar në Tiranë dhe dua shumë të bashkëpunojmë për t’i kthyer këto stacione në stacione muze”.

E ftuar nderi në këtë festival ishte ambasadorja Yuri Kim, e cila e vuri theksin tek virtyt i mikpritjes shqiptare.

“Ka shumë gjëra që thuhen për shqiptarët dhe për Shqipërinë, por, për mua, më e vërteta ndër to është ajo që thuhet për shqiptarët dhe për Shqipërinë të cilët janë njerëz të mikpritjes dhe të kurajës. Sa herë që dikush është në nevojë, shqiptarët janë të gatshëm të ofrojnë dorën e ndihmës. Ata e bënë këtë përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata e ribënë tani”.

Në mbrëmjen e dytë të Festivalit Kulturor Shqipëri-Izrael 2021, i cili po zhvillohet në Tiranë nga data 12 deri në 21 Shtator, u shfaq për herë të parë edhe dokumentari “Kodi Shqiptar”.

Tv Klan