Xhesika Biqiku mbushi 20-vjeç vetëm 3 javë më parë. Një vajzë plot jetë dhe me ëndrra të shumta për të ardhmen, studentja për Arkeologji u shua mëngjesin e kësaj të shtune.

Ajo ndodhej në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës që prej tërmetit të 26 Nëntorit. Xhesika jetonte në rrugën “Haki Stërmilli” në zonën e Kombinatit. 20-vjeçarja ishte goditur nga një tullë në kokë dhe ndodhej në gjendje kome. Bashkë me të, të plagosura mbetën edhe motra e madhe Sabina, si dhe nëna e tyre Rozeta.

Xhesika u shua mëngjesin e kësaj të shtune, vetëm pak orë pasi babai i saj, Ilia Biqiku, u shfaq në një video teksa i lutej mes lotëve Kryeministrit Edi Rama që ta ndihmonte, që e bija të dërgohej jashtë shtetit.

“Kam gocën në spital, në reanimacion. Tani po rrinë doktorët, italiani dhe shqiptari, faleminderit shumë. Po u përmend një çik thonë italianët direk ne do ta çojmë në Itali. Kam gocën e madhe, Sabinën, jashtë rrezikut është sakatuar. Po ashtu fol ndonjë llaf të mirë të ma çojnë gocën”, shprehej ai.

Fatkeqësisht, Xhesika Biqiku nuk arriti të mbijetonte. Ajo është viktima e parë nga kryeqyteti dhe e 51-ta nga tërmeti i 26 Nëntorit që la pas shumë dhimbje e shkatërrim.

Një ditë më parë, për mikrofonin e Televizionit Klan, babai i saj tregoi shtëpinë ku ajo u dëmtua. “Atë ditë që dolëm ne, 4 veta, kam dy goca në spital dhe gruan tre…”, shprehej ai në një prononcim të shkurtër për gazetaren./tvklan.al