Festoi me Enverin, Balla: Masa për deputetin e PS



Festoi me Enverin, Balla: Masa për deputetin e PS

15:36 29/11/2021

Çela nuk tërhiqet: Figura e Hoxhës nuk bëhet nul

Urimi me foton e diktatorit Enver Hoxha për festat e Nëntorit i deputetit të Partisë Socialiste Bujar Çela ka shkaktuar reagime të shumta. I pyetur për këtë, kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla foli për përdorimin e telefonit të deputetit nga persona të tjerë, por shtoi se çështja do të verifikohet dhe më pas do të merren masa.

“Unë kam marrë një sqarim nga deputeti në fjalë, që bëhet fjalë për përdorim të aparatit të tij celular nga persona të tjerë. Kjo do të jetë pjesë e një verifikimi në aspektin e grupit të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar dhe çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të ketë verifikime”.

Por vetë deputeti Bujar Çela vijon të mbajë të njëjtin qëndrim edhe publikisht kur thotë se figura e Enver Hoxhës nuk mund të bëhet nul.

“Unë u përkas atyre që e njohin luftën dhe mendoj se figura e Enver Hoxhës nuk mund të quhet nul. Ka edhe ai kontributin e tij përderisa ne nuk kemi nxjerrë ndonjë udhëheqës tjetër. Nëse ka ndonjë udhëheqës tjetër le të shprehet se historianët janë aty.

Për Partinë Demokratike ky qëndrim është i papranueshëm ndaj deputeti Enkelejd Alibeaj tha se do të propozojë në Kuvend një paketë të plotë ligjore lidhur me mospërdorimin të simboleve komuniste.

“Sot tregohet edhe një herë nevoja që duhet të merret një paketë e plotë ligjore lidhur me dekomunistizimi e shoqërisë shqiptare dhe në proces konsultimi i gjerë që skena të shëmtuara si ajo e djeshmja të mospërmenden dhe të përsëriten më të ardhshme”.

Partia Demokratike tha se iniciativa e saj është bazuar në përvojat më të mira europiane ku dënohen krimet e komunizmit.

Tv Klan








Të ngjashme