Përplasjet mes gazetares Fatjona Mejdini dhe Kryeministrit Edi Rama në studion e “Opinion” ishin të shpeshta mbrëmjen e kësaj të enjteje. Por teksa i cilësoi pyetjet e saj dhe të gazetarëve në përgjithësi, “një konglomerat njerëzish që nuk dinë çfarë janë”, reagoi edhe drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu, i cili i tha Kryeministrit se nëse nuk ishte i kënaqur me formimin e gazetarëve, atëherë mund të shkonte të bëhej vetë dekan i Fakultetit të Gazetarisë.

Fatjona Mejdini: Vendimi i Këshillit të Ministrave flet për vjeljen e gjobave nga ana e OSHEE. Ndërkaq OSHEE ka një regjistër të atyre që quhen kryefamiljarë, ka një regjistër të personave për çdo familje, që kanë lidhur kontratën. Tani jo të gjithë ata që gjobiten janë kryefamiljarë. Database e OSHEE është vetëm ai i kryefamiljarëve. Si do të procedohet kur ai që gjobitet nuk është kryefamiljar, që nuk ka kontratë me OSHEE?

Edi Rama: Na i lër neve këto shqetësime, mos u shqetëso për këto, shiko virologjinë.

Armand Shkullaku: Ose do të na i falin në fund…

Fatjona Mejdini: Domethënë zoti Rama ju nuk keni një përgjigje për këtë.

Edi Rama: Jo, kam përgjigje, përgjigja është shiko virologjinë, këto shqetësime si do të mblidhen, si do të bëhen.

Fatjona Mejdini: Këto janë shqetësime për qytetarët.

Edi Rama: Jo nuk janë fare për qytetarët. Ajo që mua më mahnit është që po të shikosh tani, Facebook-un e Fevziut, pyetjet e bëra nga qytetarët janë pyetje me sens, pyetje që kanë kuptim dhe janë shqetësime reale. Pyetjet tuaja janë një konglomerat njerëzish që nuk dinë çfarë janë. A janë virologë, a janë historianë, a janë ekonomistë, a janë financierë, a janë gazetarë, a janë analistë, apo çfarë janë. Kjo është historia.

Blendi Fevziu: Po mirë me atëherë shko bëhu dekan i gazetarisë, jep leksione gazetarie.

Edi Rama: Atë e ke detyrë ta bësh ti. Ti e more në qafë këtë gazetarinë, sepse fute këtë lloj kulture këtu që vijnë të gjithë dhe flasin të gjithë përçart, edhe e quan spektakël.

Blendi Fevziu: Jo more pyetje po të bëjnë, pyetje konkrete./tvklan.al