Fevziu kujton intervistën e fundit me Maks Velon: Lamtumirë, do të na mungosh

Fevziu kujton intervistën e fundit me Maks Velon: Lamtumirë, do të na mungosh

20:39 07/05/2020

“Lamtumirë”. Kështu e nis postimin në profilin e tij në Facebook, gazetari Blendi Fevziu për Maks Velon, i cili u nda nga jeta këtë të enjte.

Fevziu thotë se kryeqytetit do t’i mungojë mbi të gjitha një qytetar më pak pas ndarjes së Velos nga jeta.

“Udhë të mbarë Maks! Ti nuk jetove asnjë sekondë si njeri i zakonshëm dhe nuk kishe si të vdisje i tillë. Këtij qyteti do t’i mungojë një artist më pak, një antikonformist më pak, një dashnor i vërtetë më pak, një arkitekt më pak, por mbi të gjitha, një qytetar me pak”, thotë Fevziu.

Postimin ai e shoqëron me një foto nga sheshi “Skënderbej”, ku zhvilloi intervistën e fundit me Maks Velon, në Shkurt të këtij viti.

“Më erdhi keq kur ndërsa flisje për masakrën urbane dhe trashëgiminë e rrënuar kulturore, të dëgjova që the: “Ne jemi njerëz të papërgatitur për epokën moderne”. Më vjen akoma më keq, që asnjë nga ne nuk mundi të ta hiqte këtë bindjen, me të cilën u nise për atë botë. Do na mungosh shumë Maks Velo”, shkruan Fevziu.

Maks Velo ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare. Ai ishte shtruar në spital prej disa ditësh pasi vuante nga një sëmundje të cilës nuk mundi t’i mbijetojë dot. /tvklan.al

Të ngjashme

Grupi

Kallezo