Kriminale e konsideron Blendi Fevziun krijimin e një qeverie të përbashkët nëse rezultati nga zgjedhjet e 25 Prillit nuk është barazim. Sipas gazetarit nëse palët dalin 70-70 me mandate atëherë ka një sens për të krijuar një koalicion të gjerë. Por nëse një prej forcave fiton 71 mandate kjo për të është e papranueshme dhe kriminale. Sipas Fevziut për momentin vendi ka nevojë për një opozitë të fortë.

Ai tha se shpreson që Rama të mbajë premtimin që bëri në “Opinion” se do të largohej nëse nuk fiton mazhorancën. Ndërkohë, Fevziu e sheh të vështirë që Lulzim Basha të vazhdojë për një mandat të tretë në opozitë nëse Rama mban pushtetin.

“Nëse Rama ka 70 mandate e poshtë shpresoj që ta mbajë fjalën që të largohet. Nëse Rama ka 71 vota e lart, i takon të bëjë qeverinë. Në këtë aspekt, e vetmja gjë që unë mund të komentoj sot se pa mbaruar numërimi nuk komentoj është që në gjykimin tim nëse dalin 70 me 70 mund të kishte sens një koalicion i gjerë. Nëse njëra prej forcave politike, ose një grupim, se këtu po fus PD e LSI bashkë dhe PS më vete do kenë më shumë se 70 vota, pra 71 vota, për mua është e papranueshme, është kriminale që të ndërtohet një qeveri e përbashkët sepse e le vendin pa opozitë në momentin ku ka nevojë më shumë se kurrë për opozitë dhe opozitë të fortë. Kush merr 71 vota të ndërtojë qeverinë, kush merr më pak të qëndrojë në opozitë. Një gjë është. Shpresoj që Rama e mban premtimin. Basha nuk u shpreh kur ku pyet për humbjen, por besoj se edhe për Bashën është e vështirë të vazhdojë një mandat të tretë si opozitë nëse Rama mbetet në pushtet. Kjo është një çështje që nuk është për sot. Sot duhet të shohim sa del rezultati”, tha Fevziu./tvklan.al