Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte i ftuar në emisionin “Opinion” këtë të hënë.

Kreu i demokratëve e vuri theksin e fjalës së tij tek testimet dhe paketa ekonomike e qeverisë. Basha i bëri thirrje qeverisë që të adoptojë propozimet e opozitës.

Kur gazetari Blendi Fevziu e pyeti Bashën se pse nuk takohet me Ramën, kreu i demokratëve tha se opozita shqiptare ka qenë më konstruktivja në Ballkan.

Ai i kërkoi vetëm një gjë kreut të qeverisë, “të mos humbasë kohë me sulme ndaj opozitës”.

Lulzim Basha: Tek propozimet tona ka shumë gjëra të dobishme, që i ka adoptuar në letër. E kam përshëndetur dhe i kërkoj t’i zbatojë.

Blendi Fevziu: Pse nuk i kërkoni një takim të bisedoni me të në këtë kohë krize zoti Basha? Edhe si gjest çlirimi dhe relaksimi do ishte. Edhe një lloj detyrimi do të ishte si ndaj tij dhe ndaj jush. Të kërkoni dhe bisedoni me të.

Lulzim Basha: Asnjë opozitë në Ballkan apo në Europë nuk ka qenë kaq konstruktive sa ne.

Blendi Fevziu: Asnjë opozitë sa kam parë unë këto kohë nuk është agresive në asnjë vend. Kam ndjekur Italinë, ka debat në SHBA, por në fund u unifikuan për paketën ekonomike.

Lulzim Basha: Roli ynë është të bëjmë gjithçka për jetën e qytetarëve. Ne kemi bërë propozime, kemi qenë të parët me propozime sa i përket shëndetësisë, njerëzve në nevojë dhe ekonomisë. Fakti që propozimet tona janë të dobishme është që një pjesë e tyre janë adoptuar dhe i përshëndes. E vetmja gjë që kërkoj është mos të humbasë kohë me sulme./tvklan.al