Blendi Fevziu rrëfeu gjatë një interviste përballë Mirela Milorit në Klan News se është takuar në Hagë me ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ai tha se ka qenë një takim që ka zgjatur rreth 3 orë. Fevziu sqaroi se drejtuesit e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit jo personalisht, por si linjë komandimi.

“Ishte shumë interesante, nuk ishte një vizitë në kuptimin as mediatik, as politik. Ishte një vizitë private. Paraburgimi në Hagë nuk lejon as celularin që mund të bësh një fotografi. Ishte thjesht një vizitë personale. Ishte impresionuese në një aspekt edhe emocionale për arsye se Hashim Thaçi dhe të gjithë shqiptarët e tjerë që janë në Hagë nuk janë për akuza personale. Dua ta sqaroj këtë. Asnjëri prej tyre nuk ka akuzë personale. Pra asnjë prej tyre nuk akuzohet për një vrasje konkrete për një krim konkret, ata akuzohen sepse UÇK gjatë luftës së Kosovës ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, siç janë përzënia e serbëve nga lagjet e tyre, disa vrasje shqiptarësh apo serbësh, për të cilën asnjë nga të katër kryesore në Hagë nuk akuzohen direkt, por si linjë komandimi. Sot Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit i thonë që në filan ditë, në lagjen e serbëve ka hyrë njësiti i UÇK ka përzënë serbë apo ka rrahur disa serbë. Ndërkohë që po atë ditë Thaçi ka qenë në Londër për një takim me Tony Blair në mes të luftës. Nuk ka pasur UÇK këtë linjë komandimi që po mundohet gjykata ndërkombëtare të përcaktojë”.

Fevziu rrëfeu edhe gjendjen e ish-Kryeministrit dhe ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Fevziu u shpreh se ai që e ka përjetuar më rëndë këtë situatë ka qenë Jakup Krasniqi.

“Ishte në gjendje të mirë, ishte shumë më i qetë se para nisjes në Hagë ku njeriu kupton se nuk ka rrugë tjetër veçse të bësh betejë. Ishte fizikisht shumë mirë. Atë kohë që ka që lejohet të dalë jashtë si duket ushtrohet, me sporte. Qetësi ka. Më duket, por këtë nuk e di, nga biseda me të tjerë se Thaçin nuk e pyeta, Jakup Krasniqi është më i prekur. Ai e ka përjetuar shumë rëndë këtë. Edhe në daljen e tij përpara gjykatës dy ditë më parë ai ishte jo vetëm i përlotur, por tha se nuk e mendoja kurrë se do ishin para gjykatës këta njerëz që luftuan. Më bëri përshtypje një punonjës në Gjykatën e Hagës që më shoqëroi, më tha që këta djem janë të jashtëzakonshëm. Ne kemi pasur njerëz nga e gjithë bota të akuzuar, askush nuk ka qenë në këtë lloj situate që janë këta djem të Kosovës, janë shumë entuziastë, janë shumë të rinj dhe në fund të fundit tha që janë njerëz që kanë luftuar për lirinë e vendit të tyre dhe vendi i tyre sot është i lirë.

Ishte një moment edhe pak emocional kur Hashimi më tha që kur ndodhem në oborrin e burgut për atë ecjen e zakonshme kur shoh avionin lart është e vetmja lidhje me botën e lirë. Emocionalisht ishte shumë më mirë se në Tetor të 2020”. /tvklan.al