Dy janë kushtet sipas gazetarit Blendi Fevziu që Partia Demokratike duhet të plotësojë që të qëndrojë e bashkuar: të mos përçahet dhe të jetë një opozitë e vërtetë, jo teatrale.

“Unë nuk e di a do çahet, deri tani po shkon në një përplasje. Dy objektivat kryesore që duhet të kenë është që PD nuk duhet të jetë e përçarë sepse edhe e bashkuar ka shumë vështirësi që të fitojë zgjedhjet duke marrë parasysh ç’po ndodh. Ka bërë një gabim duke hapur një front tjetër përplasje me LSI, me të cilën në fund të fundit, pavarësisht se raportet nuk kanë qenë të mira po nuk ka pasur debat publik. Dhe e treta që PD të jetë një opozitë reale jo një opozitë teatrale. Nëse këto dy kushte në fakt, po flas mos çahet dhe të jetë një opozitë e vërtetë plotësohen atëherë, PD është një parti që plotëson detyrimin ndaj votuesve të saj që është të qëndrojë në opozitë. Natyrisht duke pasur synimin për të ardhur në pushtet pas 4 vitesh”.

I ftuar në Milori Live, Fevziu thotë se skenari më i keq, që do të çonte deri në fundin e PD si parti dhe krijimin e partive të tjera opozitare, do të ishte nëse kjo parti do të zvarritej nëpër procese gjyqësore.

“I vetmi skenar i keq për PD do ishte zgjatja ose zvarritja në procese legale, juridike të zgjatura me gjykata. Sepse partia politike është frymë, është frymëzim, ide, por nuk është vetëm procedurë. Nëse do shkojë në një betejë legale të gjatë atëherë ky do të jetë fundi i PD dhe e them këtë me bindje të plotë, edhe pse njerëzit nuk do më besojnë, mund të çojë në krijimin e partive të tjera opozitare, ndoshta me personazhe jo të njohur, sepse vendi nuk ngelet kurrë pa opozitë. Do t’i marrë pak kohë, do t’i japë Ramës mundësin të mbetet akoma në pushtet, ky mesa duket paska qenë më shumë fati i tij se aftësia e tij, por vendi nuk mund të mbetet pa opozitë”./tvklan.al