Kryeministri sllovak Robert Fico nuk është më në rrezik për jetën, por mbetet ende në gjendje të rëndë.
Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Sllovakisë, Robert Kalinak në një konferencë për mediat të mbajtur jashtë spitalit ku po trajtohet kryeministri.
“Mendoj se më e keqja që kishim frikë të paktën tani për tani ka kaluar, por gjendja mbetet shumë e rëndë”, tha ai.
Ai përjashtoi mundësinë e transportimit të Ficos në një spital më të specializuar, kjo edhe për shkak se gjendja e tij shëndetësore nuk e lejon një gjë të tillë.
“Kryeministri ka dalë nga hija e kërcënimit të menjëhershëm për jetën, por gjendja e tij mbetet e rëndë dhe kërkon kujdes intensiv mjekësor, kështu që nuk do të planifikohet asnjë transport i tij sepse as që është e mundur”, tha ai.
Kryeministri 59-vjeçar u qëllua nga katër plumba të mërkurën në sulmin më të rëndë të ndodhur ndaj një lideri politik evropian në më shumë se 20 vjet. Gjykata Speciale Penale Sllovake vendosi të lërë në burg autorin 71-vjeçar, një ish-roje sigurie i qendre tregtare dhe autor i tre koleksioneve me poezi.
Tv Klan