Edhe pse kërkesa për një vend në stadium do të jetë maksimale, Arena Kombëtare rrezikon të mos jetë e mbushur me kapacitet të plotë për ndeshjen e 7 Qershorit kundër Serbisë. FIFA vendosi mbylljen e 20% të stadiumit në sfidën e radhës kualifikuese të kuqezinjve.
Në vendimin e publikuar nga Federata Botërore e Futbollit argumentohet se shkak është bërë sjellja diskriminuese e tifozëve shqiptarë, gjatë ndeshjes kualifikuese të Botërorit 2026 me Andorrën.
Disiplinori i FIFA-s e ka cilësuar të papranueshme sjelljen e mbështetësve të Kombëtares në takimin e 24 Marsit 2025. Megjithatë, ekziston një mundësi që dënimi të mos formalizohet dhe stadium të jetë i mbushur për të motivuar kuqezinjtë.
Sipas vendimit, 20% i impiantit mund të mbushet me grupe të komunitetit ose organizata kundër diskriminimit, me miratim paraprak nga qeveria botërore e futbollit.
Gjithashtu, brenda 6 muajve, FSHF duhet të hartojë dhe të paraqesë një plan të përmirësuar masash kundër diskriminimit, të cilat duhet të miratohen nga FIFA.
Për sjelljen diskriminuese, Shqipëria është gjobitur edhe me 20 mijë franga zvicerane.
Pas dënimeve nga Komisioni i Disiplinës, federata u ka bërë thirrje tifozëve të shmangin çdo situatë e cila rrezikon të dëmtojë ekipin Kombëtar në rrugëtimin drejt Botërorit 2026.
Tv Klan