Është mbajtur në Los Angeles premiera botërore e “50 Shades Darker”, me pjesëmarrjen e kastit të aktorëve protagonistë të filmit. Seria e dytë e filmit të shumëpërfolur pritet të shfaqet nëpër kinema këtë 14 shkurt.

Jamie Dornan dhe Dakota Johnson janë rikthyer si Christian Grey dhe Anastasia Steele në kapitullin e dytë  “Fifty Shades Darker”, bazuar në fenomenin botëror bestseller, “50 Shades”.  

Premiera e serisë pasardhëse e filmit që arriti të arkëtojë më shumë se 560 milion dollarë vitin e shkuar, është mbajtur të enjten në Los Angeles. 

Krahas dy protagonistëve të cilët shkëlqyen me veshjet nga Valentino, në tapetin e premierës spikatën dhe të tjerë aktorë të kastit të filmit.

Shqiptarja Rita Ora e cila shfaqet sërish në këtë film si Mia Grey motra e miliarderit Christian, kishte zgjedhur një fustan me bisht nga Giambatistta Valli Couture, ndërsa Bella Heathcote ishte veshur me Saint Laurent. Po ashtu, Kim Basinger tërhoqi vëmendjen me elegancën e saj. 

“50 Shades Darker” i cili ka premierën për publikun këtë 14 shkurt, sjell vazhdimin e historisë erotike mes Christian Grey dhe Ana Steele. 

Kur Christian i penduar kërkon të tërheqë sërish në jetën e tij Anastasian, ajo kërkon një marrëveshje të re, përpara se t’i japë atij një shans të dytë. Ata nisin të rivendosin besimin për të gjetur stabilitetin, por hije të së shkuarës së Christian rrethojnë çiftin, duke u përpjekur të shkatërrojnë shpresat për një të ardhme së bashku. 

Filmi rikthen në ekran disa prej aktorëve që kemi parë edhe në serinë e parë “50 Shades of Grey”. Por, të tjerë emra të njohur të kinematografisë do të luajnë për herë të parë karakteret e këtij prodhimi që ka rritur pritshmëritë në të gjithë botën. Kjo edhe për shkak të regjisorit që ka realizuar këtë seri, James Foley i njëjti që qëndron dhe pas suksesit “House of Cards”./tvklan.al