Kulla C, e rënë nga tërmeti i 26 Nëntorit në Kalanë e Durrësit, do të ringrihet! Ekspertët kanë punuar me intensitet prej ditëve të para pas rënies, por kjo javë ishte vendimtare pasi nisi ndërhyrja e emergjencës. Zhvendosja e çdo pjese të dëmtuar nga Kalaja është një aksion shumë delikat, pasi s’duhet të cënohet asgjë nga vlerat e copave të shkëputura nga monumenti. Kjo është vetëm faza e parë e ndërhyrjes në monument, restaurimi i të cilit do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë në vendimmarrje.

Këto nuk janë vetëm ndërhyrje të kushtueshme, por edhe shumë sfiduese, pasi diskutimi se cila do të jetë qasja me e mirë e restaurimit, duhet të jetë i gjerë. Se çfarë do të ndodhë, vendimtarë do të jenë muajt në vijim, pasi nëse restaurimi është fakt tanimë, mënyra se si, duket se do të jetë diskutim i gjatë.

Dy fazat e para, ndërhyrja e emergjencës dhe konsolidimi i monumentit, janë financuar nga qeveria suedeze përmes Fondacionit “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” që vepron në Shqipëri.

Ndërsa faza finale që është edhe më e kushtueshmja, është financimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe vetëm për restaurimin e kësaj, kulle janë akordua rreth 240 mijë dollarë. Është paraparë që brenda 2 vitesh, gjithçka të ketë përfunduar… dhe kulla C e Kalasë së Durrësit, të jetë restauruar tërësisht.

Kalaja e Durrësit është një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë shqiptare. Ai është ndërtuar në shekujt 5 dhe 6 të Erës Sonë nga Perandori bizantin Anastasi, që ishte me origjinë nga Durrësi. Ajo u shkatërrua dhe rindërtua sërish pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273 dhe që nga ajo kohë ka qenë bashkëshoqëruese e historisë së qytetit të famshëm në bregun e Adriatikut.

Klan Plus