Kompani “Shell” ka nisur zbatimin e marrëveshjes së re me qeverinë shqiptare për shpimin e pusit të naftës Shpirag 3, proces që zgjat për më shumë se një vit dhe ka një kosto zbatimi prej 72 milionë dollarë.

Kjo kompani e njohur ndërkombëtare po investon prej disa vitesh në Shqipëri. por kryeministri Rama i pranishëm në ceremoni e sotme ia njeh qeverisë se tij meritën për arritjen e një marrëveshje të re me një investitor kaq të fuqishëm, që sipas tij do t’i sjellë më shumë të ardhura portofolit të shtetit.

Edi Rama:

“Ka rëndësi të madhe fakti që SHELL nuk ka ndërprerë programet me Shqipërinë, ndërkohe që ka ndërprerë programe në tërësi, për shkak të rënies drastike të çmimit të naftës. Nuk ka qenë një marrëveshje e lehtë. SHELL nuk është një organizatë bamirëse, është një nga gogolët më të mëdhenj të kapitalizmit botëror, por e vërteta është se deri në fund ka qëndruar në një tavolinë, për të lidhur një marrëveshje në harmonizim të plotë të interesave. Me nënshkrimin e marrëveshjes së re për bllokun 4, nënshkruajmë një marrëveshje për një investim të ri të huaj, të përmasave të mëdha, në territorin e vendit tonë. Fakti që SHELL vazhdon të investojë në Shqipëri, ndërkohë që në tërësi, investimet e reja në fushën e naftës kanë pësuar një ulje për shkak të çmimit, është në të njëjtën kohë, një flamur i ngritur për të tërhequr vëmendjen dhe interesimin e kompanive të tjera”.

Pa përmendur emra kryeministri e veçoi kompaninë “Shell” nga kompani të tjera të huaja, që operojnë në tregun e hidrokarbureve në vendin tonë, që sipas tij nuk kanë qenë serioz në zbatimin e kontratës me shtetin shqiptar.

Edi Rama: 

“Ky është rasti për të bërë edhe krahasimet e duhura mes një kompanie të fuqishme, që investon seriozisht, që bashkëpunon seriozisht dhe që mendon seriozisht për të ardhmen, duke mos u përpjekur që të marri çfarë të marri sot dhe nesër të lëri mbrapa gërmadhë buxhetin e shtetit apo në truallin e shqiptarëve dhe kompanish të tjera, që duke tundur flamuj vendesh mike janë munduar vetëm  e vetëm si t’ia hedhin popullit shqiptar dhe si t’i shmangen detyrimeve ndaj buxhetit të shtetit. Kjo epokë ka mbaruar! Ne nuk sugjestionohemi nga flamujt e vendeve mike, kur ato tunden për t’i bërë presion qeverisë shqiptarë. Qeverisë shqiptare nuk mund t’i bëjë dot presion, askush”.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, investimet e kryera deri tani nga kompani “Shell” arrijnë në rreth 270 milionë dollarë. /TV KLAN