Autoritetet nuk rekomandojnë masa të reja

Prej sot ka filluar vaksinimi i adoleshentëve nga mosha 12 deri në 17 vjeç të cilët paraprakisht kanë caktuar terminet e tyre në ueb faqen vaksinacija.mk. Kjo kategori e qytetarëve vaksinohen me “Pfizer”. Mjekët thonë se interesimi është i lartë dhe se procesi po zhvillohet në rregull.

“Sot ka filluar vaksinimi me termin të adoleshentëve, të moshës nga 16 deri në 17 vjeç, të cilët janë paraqitur në vaksinacija.mk paraprakisht. Procesi po rrjedh sipas rradhës, pacientët vijnë në kohën kur e kanë të caktuar terminin, kishim rreth 200 termine të caktuara për sot, deri më tani kanë kaluar rreth 65 adoleshentë, vaksinimi zhvillohet i ndarë në dy pika vaksinimi, ku në njërën pikë është doza e parë, në të dytin rivaksinimi”.

“Interesimi i pacientëve është tepër i madh, ka pacientë që janë nga mosha 13 deri në moshën 20-vjeçare. Numër të saktë nuk mund të tregoj sepse punojmë deri në orën 7 e 30, tani për tani janë vaksinuar 30 pacientë adoleshentë’.

Të rinjtë të kënaqur që ka filluar vaksinimi, por kanë vërejtje se terminet nuk respektohen sa duhet.

“Unë e mora fajzerin, me termin kemi ardh këtu, jemi paraqit para dy jave, para disa ditëve na kanë dërguar email se kur duhet të vijmë. Mirë është kështu, mirëpo probleme, termine kanë bërë, ndërsa nuk i respektojnë, kush mundet hyn. Mendoj se janë të sigurta, s’kanë pse të mos jenë”.

Komisioni për sëmundje infektive sot ka mbajtur mbedhje dhe e ka shqyrtuar gjendjen epidemiologjike në shtet. Kanë theksuar se ka rritje të lehtë të rasteve pozitive në Shkup dhe Tetovë dhe siç njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë, për momentin mbeten në fuqi masat e rekomanduara, të cilat siç theksojnë ata do të shtrëngoheshin në rast se paraqitet nevoja.

“Sipas analizave në Tetovë, shpërndarja e virusit është për shkak të mosrespektimit të masave dhe protokolleve gjatë organizimit të festave familjare dhe lloje tjera të festave në ambiente të mbyllura. Edhe përskaj numrit të rasteve aktive dhe rezultateve pozitive të testimeve të Covid-19, gjendja është stabile, nëpër spitale nuk ka presion. KSI për momentin mbetet në masat e rekomanduara deri më tani, të cilat do të bëhen më rigoroze në momentin që do të ketë nevojë”.

Sipas autoriteteve shëndetësore, deri më tani në Maqedoninë e Veriut imunitet kanë krijuar 272.129 persona. Përndryshe numri i të diagnostifikuarve të rinj me koronavirus në 24 orët e fundit është nëntë dhe ky rezultat vjen pas 1973 testimeve.

Numri total i rasteve aktive në vend është 221, ndërsa janë regjistruar 53 pacientë të shëruar dhe zero vdekje.

Numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë shkon në 155.931 persona, 150.223 janë shëruar, ndërsa 5 487 kanë ndërruar jetë.

Klan Macedonia