Dokumentarët si dhe filmat rreth jetës së njerëzve me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë këtyre javëve kanë patur një rritje shumë të madhe të shikueshmërisë.

Sipas platformës Netflix, dokumentari nga Ava DuVernay i titulluar “Kur na panë ne” që tregon burgosjet masive dhe abuzimet që prek njerezit me ngjyrë, pati një shikueshmëri 47 herë më të lartë këto 3 javët e fundit.

Kjo vjen edhe pas vrasjes së afro – amerikanit George Floyd dhe reagimit global për të drejtat e njeriut që shkaktoi kjo ngjarje.

Regjizorja e këtij dokumentari DuVernay ka sjellë në vëmendje çështjen më të nxehtë të momentit, racizmin dhe pabarazinë madje edhe mënyrën sesi trajtohen grupet afro-amerikane.

Sipas saj, është shumë e rrallë që platformat që transmetojnë filma, të transmetojnë edhe dokumentarë ku tregohet jeta e vërtetë e njerëzve me ngjyrë.

Dokumentari “Kur na panë ne” bën fjalë për 5 të rinj me ngjyrë të akuzuar gabimisht për përdhunimin e një vajze në Central Park në vitin 1989. Edhe pse ka një vit që ka dalë, shikueshmëria është mjaft e lartë.

Së fundmi, Netflix është fokusuar në dhënien e programeve të njerëzve me ngjyrë nisur edhe nga protestat që u orgaznizuan për javë të tëra në të gjithë botën.

AT&T dhe HBO MAX kanë transmetuar filma të ndryshëm nën moton  “Dëgjimi i Zërave të zinj”, ndërsa Walt Disney Hulu ka shpërndarë video me titullin “Histori të zeza”.

Edhe gjigandi teknologjik Apple Tv ka risjellë edhe njëherë për publikun seritë “Ballafaqimi i racizmit sistemik” , “E zeza në Amerikë”, si dhe dramën fituese e Oskarit 2014 “12 vjet një skllav”, që renditet  në mesin e filmave më të mirë.

Klan Plus