Fansat nuk e pëlqejnë, familjarët akuzojnë se nuk iu morën leje

David Bowie është një nga legjendat e muzikës më me ndikim në shekullin e 20-të. Sikurse ka ndodhur gjithnjë, shumë yje, pasi largohen kujtohen nëpërmjet filmave apo dokumentarëve për atë që kanë lënë pas.

Kompania britanike “Vertigo Releasing”, tashmë ka siguruar të drejtat autoriale për filmin biografik që flet për jetën dhe karrierën e muzikantit David Bowie. I quajtur “Stardust”, ky projekt do të publikohet në Britani të Madhe në fund të këtij viti.

Teksa është publikuar traileri, shumë prej fansave nuk e kanë pritur mirë. Përmes rrjeteve sociale ata shprehin pakënaqësitë e tyre rreth faktit se në këtë film biografik nuk përfshihet muzika e ikonës David Bowie, si dhe nuk iu ka pëlqyer mënyra se si aktori protagonist e ka portretizuar idhullin e tyre.

Jo vetëm kaq, por familja e Bowie ka deklaruar se nuk ka dhënë autorizim për të realizuar jetën e muzikantit legjendar.

“Stardust” e sjell historinë e Bowie-t, i personifikuar në film nga Johnny Flynn, në udhëtimin e tij të parë në Amerikë, në vitin 1971. Në fragmentet e para të filmit Bowie shihet legjenda e muzikës teksa bën planet për albumin e ri.

Në film luan edhe aktorja e njohur e filmave “The Hunger Games”, Jena Malone, e cila e portretizon gruan e parë të muzikantit, Angie. Regjinë e këtij projekti biografik e ka bërë regjisori Gabriel Range, fitues i disa çmimeve Emmy, ndërsa skenari është punuar nga Christopher Bell.

Klan Plus