Filmi i parë arab i Netflix ka ngjallur një protestë në Egjipt ku kritikët po bëjnë thirrje që të ndalohet transmetimi i tij pasi sipas tyre po ‘promovon homoseksualitetin’ dhe ‘shkatërrimin e vlerave familjare’. “Ashab wala Aaz” paraqet aktorë të njohur nga Libani, Egjipti dhe Jordania, duke përfshirë yllin egjiptian Mona Zaki.

Filmi flet për një grup miqsh që takohen për darkë dhe vendosin ta bëjnë natën më interesante duke rënë dakord të ndajnë çdo mesazh me tekst, email dhe telefonatë të marrë me pjesën tjetër të grupit. Ndërsa ngjarjet zhvillohen, loja zbulon të vërteta tronditëse për anëtarët e grupit, ndërsa prek tema nga tradhtia bashkëshortore dhe seksi paramartesor deri te homoseksualiteti, të gjitha të konsideruara gjerësisht si tabu në Egjipt.

Filmi, i cili u publikua më 20 Janar, u ngjit menjëherë në listën e më të shikuarve në Egjipt, por në të njëjtën kohë ka ngjallur një reagim të madh kundër këtyre tematikave që zhvillohen në film. Janë ngritur padi kundër Ministrisë së Kulturës dhe zyrës së censurës për lejimin e transmetimit të filmit dhe deputetët kanë bërë thirrje për një seancë të posaçme për të diskutuar nëse do të ndalohet plotësisht në Netflix.

Në internet, shumë kritikuan aktoren e famshme egjiptiane Mona Zaki, e cila mori pjesë në atë që ata e quajtën një film “të turpshëm”. Mes gjithë këtyre kritikave, gjigandi amerikan i transmetimit akoma nuk ka reaguar./tvklan.al