Çifti Megan Fox dhe Kelly do të jenë pjesë e filmit të ri “Midnight in the Switchgrass” 

Filmi triller rrëfen historinë e dy agjentëve të FBI-së të cilët janë në kërkim të një vrasësi serial.

Publikohet  trileri i parë i filmit “Midnight in the Switchgrass” në të cilin luan çifti i njohur i showbizit, Megan Fox dhe Machine Gun Kelly.

Fox, e cila është në lidhje romantike me Kellyn nga viti 2020, për herë të parë e kishte takuar këngëtarin e shndërruar së fundmi  në aktor, në sheshin e xhirimeve të këtij filmi triller, ku luajnë edhe aktorët Bruce Willis dhe Emile Hirsch.

Ajo shfaqet në rolin e një agjenteje të fshehtë të FBI-së e cila josh  personazhin e Kellyt në një dhomë hoteli, para se mes tyre të nisë një përleshje e dhunshme. Filmi rrëfen historinë e dy agjentëve të FBI-së të portretizuar në film nga Fox dhe Willis, teksa mundohen të kapin  një vrasës serial  i cili rrëmben vajzat e reja për qëllime prostitucioni.

Në intervistën e saj të fundit, Megan Fox e përshkroi yllin e Hollywoodit, Bruce Willis, një legjendë, ikonë të kinematografisë dhe një prej personave më të sjellshëm që ka takuar në jetë.

Kjo është hera e tretë që Fox dhe Kelly shfaqen së bashku në ekran, pasi aktorja 35-vjeçare mori pjesë si protagoniste në videoklipet muzikore të Kellyt, “Bloody Valentine” dhe “Drunk Face”.

Klan News