TikTok e ka hequr “filtrin topolak“ që i lejonte përdoruesit të ndryshonin pamjen e tyre duke shtuar disa kilogramë.
Çdo video me këtë filtër funksionon duke marrë një foto të përdoruesit dhe më pas aplikimi ndryshon fizikun e tij, ndërsa në sfond dëgjohet kënga “Anxiety” nga Doechii.
Trendi i këtyre videove shkaktoi kritika të forta nga përdoruesit që u shprehën se përçon mesazhin e bullizmit fizik.
TikTok ka reaguar për BBC dhe ka thënë se filtri tanimë është hequr nga platforma. Videot e realizuara me të janë në fazë rishikimi duke i bërë të parekomandueshme dhe duke i bllokuar nga shfaqja në llogaritë e adoleshentëve.
Platforma shtoi se filtri është ngarkuar nga CapCut, një aplikacion tjetër por që i përket kompanisë ByteDance.
Nëse kërkon video me “filtrin topolak” nga pajisja celulare, nuk dalin video, por në versionin web shfaqen ende.
Filtrat e aplikacionit janë kritikuar sepse konsiderohen të dëmshme për vetëvlerësimin e përdoruesve. Filtrat që eliminojnë rrudhat apo njëtrajtësojnë lëkurën, si edhe “filtri topolak” përforcojnë lidhjen midis bukurisë dhe fizikut të hollë.
Nëntorin e shkuar, TikTok njoftoi se fëmijët nën 18 vjeç nuk do të kenë më akses ndaj këtyre filtrave pas një raporti që hetonte ndikimin e tyre te të rinjtë./tvklan.al