Harroni, Superbowl, harroni finalet e NBA, harroni 100 metrat në olimpiadë, dita erdhi, është përballja më e madhe jo vetëm në futboll, por e gjithë sportit, është finalja e botërorit. Dita që presim me akth çdo 4 vjet, duke shpresuar që skuadra e zemrës të zbresë në fushën e lojës.

Këtë vit, fatlumet janë Franca që tenton botërorin e dytë pas atij të 1998 dhe Kroacia që e ka për herë të parë edhe finalen. Do të luhet në Luzhnik të Moskës përpara 81 500 spektatorëve. 20 vjet më parë kroatët në gjysmëfinale u eliminuan nga Franca. Tashmë brezi i artë i drejtuar nga Zlatko Daliç do të kërkojë revanshin me një ekip të bashkuar, plot besim dhe me mbështetjen e një kombi me shumë ëndrra.

Kroacia është ekipi që ka vrapuar më shumë në këtë botëror. Ka kaluar disa ndeshje me shtesa dhe 11 metërsha për një mesatare prej 116 kilometrash më shumë se të tjerat. Grupi është çelësi i suksesit për këtë ekip.

Nga pala franceze, u dallua nga të tjerët i riu Kylian Mbappe. Ai lindi 161 ditë pasi trajneri i tij ngriti kupën e parë të botës si kapiten i Francës. Përgjithësisht Franca është skuadër e re, me lojtarë ambiciozë që mesi presin të shfaqin potencialin e tyre. Kjo skuadër ka treguar forcë të madhe në terrenin e lojës falë bashkimit të të gjithë lojtarëve dhe sakrificës për të mbuluar çdo hapësirë dhe pozicion në fushë. Pasditen e sotme do të bëhet gjithçka për të realizuar ëndrrën, Franca dhe Kroacia duan të bëjnë histori.

Tv Klan