Finalja e Champions League sërish mund të mos zhvillohet në Stamboll të Turqisë. Mediat britanike raportojnë se UEFA po mendon seriozisht ta zhvendosë këtë ndeshje ne Stadiumin Ëembley të Londrës. Në Stamboll ishte parashikuar të luhej finalja e sezonit të shkuar e cila u mbajt në Portugali për shkak të pandemisë. Ndërkaq edhe këtë sezon duket se janë të njëjtat kushte.

Me shumë mundësi tifozë nga Anglia të Manchester City dhe Chelsea nuk do të mund të udhëtojnë në Turqi pasi ky shtet është në listën e kuqe të Britanisë për shkak të përhapjes së Covid-19. Kjo do të thotë se çdo person që do të kthehet nga Turqia do të karantinohet për 10 ditë në një hotel me shpenzimet e veta.

Janë rreth 12 mijë tifozë të të dy ekipeve që në kushtet aktuale nuk do të mund të jenë të pranishëm në Turqi. UEFA është në pozicion të vështirë. Nga një anë tifozëria angleze si dhe kombëtarja britanike që nuk do të kishte të gatshëm lojtarët për ndeshjet e programuara, nga ana tjetër federata turke e cila pret ende një konfirmim për organizimin e finales.

Nga ana tjetër ka raportime se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mund të ofrojë një përjashtim nga rregullat e karantinës për lojtarët e përfshirë, edhe pse skenari ideal do të ishte organizimi i ndeshjes në Angli.

Tv Klan