Lisbona është gati për të pritur finalen e UEFA Champions League për edicionin 2019-2020. Kryeqyteti portugez shihet si destinacioni ideal për të zëvendësuar Stambollin, pasi besohet se kjo e fundit do të jap dorëheqjen nga organizimi i finales së turneut më të rëndësishëm europian.

Ide që është konfirmuar me gjysmë zëri edhe nga Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo Sousa që ka pranuar se vendi i tij mund të marrë një lajm të mirë sa i përket futbollit ndërkombëtar.

“Mbetet ende e paqartë, por besoj se Portugalia do të marrë një lajm të mirë sa i përket futbollit ndërkombëtar në Gusht”.

Nëse Stambolli nuk ofron siguri për organizimin e finales më 29 Gusht, të drejtën për ta pritur do ta ketë një tjetër qytet europian. Hipoteza të mundshme janë Mynihu dhe Madridi, me vendimin final që do të merret më 17 Qershor nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s.

Në atë takim do të vendoset edhe formula për të përfunduar sezonin ku gjasat janë që të zhvillohet me play-off me tek ndeshje. Sezoni i Champions u pezullua në momentin më të bukur të saj, ku kishte mbetur për t’u përcaktuar 4 nga 8 skuadrat çerekfinaliste.

Klan Plus