Milani do të përballet me Bolognan të Mërkurën, në finalen e Kupës së Italisë. Një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja ekipet, që kërkojnë me çdo kusht fitimin e trofeut.

Në prag të kësaj përballje, foli trajneri i Milanit, Sergio Conceicao i cili deklaroi se kjo ndeshje do të jetë ndryshe nga ajo e kampionatit pak ditë më parë, ku kuqezinjtë fituan 3-1.

Sipas tij, një fitore në finale do të ishte shumë e rëndësishme, për skuadrën, por edhe për tifozët.

“Presioni është pjesë e historisë sonë. E ndiejmë çdo ditë dhe është normale për një klub të madh. Duhet të jemi të përqendruar vetëm te ndeshja, tek ajo që duhet të bëjmë dhe si ta përballojmë kundërshtarin. Do të jetë ndryshe nga sfida e kampionatit.

Së fundmi rezultatet janë pozitive, ekipi është përmirësuar në nivelin individual dhe kolektiv. Tre muajt e parë ishin të vështirë. Ne jetojmë për rezultatet. Një fitore në Kupë do të ishte shumë e rëndësishme. Jemi përgatitur mirë dhe shpresoj ta tregojmë këtë në fushë.

Do të ishte e rëndësishme t’u japim tifozëve një trofe tjetër në një sezon të vështirë. Para kësaj finaleje moral të lartë dhe jo frikë. Skuadra është e qetë dhe në pritje të një ndeshje të rëndësishme”, u shpreh Conceicao.

Milan-Bologna do të luhet të Mërkurën, duke nisur nga ora 21:00, në stadiumin “Olimpico”. /tvklan.al