Ndeshja e vajzave Vllaznia-Partizani, e cila do të vendosë kampionen e sezonit 2024-2025, do të luhet ditën e Diel, në orën 19:30, në stadiumin “Arena e Demave”.
Kjo është bërë e ditur nga Departamenti i Garave në FSHF, pasi u zbuluan dy ekipet finaliste.
Për të mbërritur te ndeshja finale për titullin, Vllaznia mposhti Apoloninë me rezultatin 3-2 në gjysmëfinalen e dytë të fazës “Final 4”.
Ndërkohë, Partizani kaloi në finale pasi fitoi 0-1 ndaj Gramshit edhe në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales.
Skuadra kampione e kësaj kategorie do të luajë në fazën para-eliminatore të UEFA-s. Ndërsa për herë të parë, ekipi i renditur në vendin e dytë do të marrë pjesë në raundin para-eliminator të UEFA Women’s Europa Cup.
Sakaq, finalja e vogël për vendin e tretë dhe të katërt mes Apolonisë dhe Gramshit do të luhet të Dielën në ora 11:00 në QKS Kamëz.
/tvklan.al