Këshilli Politik zhvilloi një tjetër mbledhje këtë të martë. Në qendër të diskutimeve ishte financimi i partive politike. Ish-deputeti Oerd Bylykbashi deklaroi se propozimi i opozitës është reduktimi i financimit nga kontributet e privatit në raportin 67% burime shtetërore dhe 33% burime private.

“Propozimi i opozitës është reduktim drastik i financimit nga privati në raportin 67% nga burime shtetërore dhe 33% nga burime private duke vënë një numër kufizimesh të forta në lidhje me ata që financojnë. Është një risi në propozimin tonë që ata që kanë marrë para nga taksat e shqiptarëve nëpërmjet kontratash publike, tendera, koncensione, ata nuk mund të financojnë. gjithashtu kush financon subjektet politike nuk mund të marrë tendera apo koncensione nga shteti, për të shkëputur kapjen e zgjedhjeve dhe partive politike nga oligarkia”, tha Bylykbashi i cili shtoi më tej se do të forcohen edhe mekanizmat e kontrollit të deklarimeve që bëjnë partitë.

Përfaqësuesi i mazhorancës në atë tryezë, Damian Gjiknuri deklaroi se po diskutohet se sa do të jetë kontributi shtetëror dhe privat. Ai u shpreh se mazhoranca është me parimin e sistemit miks të financimit të partive.

“Çështja që më shumë diskutohet është se sa ky kontribut do të jetë nga shteti dhe sa me fonde private. Këtu jemi në diskutim. Ne jemi të parimit të sistemit miks si sot, duke shtuar mbase një çikë peshën që ka shteti, por njëkohësisht duke lënë një tavan të pranueshëm që i lejon partitë të bëjnë fushatë. Parimi është që jemi për financimin miks. Jemi mirë që edhe PD ka hequr dorë nga financimi 100% publik. Qëllimi është të gjejmë një balancë mes kontributit shtetëror dhe privat”, tha Gjiknuri.

Një tjetër çështje që u diskutua ishte edhe ajo e listave të zgjedhësve, për të cilën, Bylykbashi tha se manipulohen në mënyrë dramatike nga kryetarët e bashkive socialiste.

“Manipulimi me listat e zgjedhjeve. Manipulohen në mënyrë dramatike nga kryetarët e bashkive socialistë me urdhër të qartë nga kryeministri. Duke i regjistruar zgjedhësit fantazmë nëpër karabina pallatesh të papërfunduara, nëpër kontenierë dhe nëpër lulishte vetëm që të fitojnë duke bërë transferim turistësh zgjedhorë nga një bashki në një tjetër. Sot kuptuam qartë që qeveria nuk ka asnjë masë që të garantojë që zgjedhësit të votojnë aty ku kanë vendbanimin”, tha Bylykbashi.

Por kjo u hodh poshtë nga Gjiknuri pasi i konsideroi ato si shqetësime politike më shumë se sa reale.

“Këto janë për mendimin tim konsiderata politike. Nga përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme u tha që kapacitetet aplikuese shtrirëse janë më të mëdhatë që kanë qenë ndonjëherë në Shqipëri. Ka një sistem më të mirë adresash. Kjo gjë u vërtetua është i njëjti personel që ka punuar që në fillim të 2013-s. Më shumë shqetësim i ngritur politikisht se sa real megjithatë po presim disa propozime për disa shqetësime që ngriti opozita”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri deklaroi ndër të tjera se në 15 Mars do të ishte sukses nëse palët kanë dakordësi për çështjet që kanë debate.

“Datë ku patjetër do ta kemi të gjithë draftin. 15 Marsi është i rëndësishëm që të kemi dakordësi për çështjet. Ekspertët do të zbardhin draftet përkatëse. Nëse ne kemi dakordësi, marrëveshje për çështjet që kemi debate, për mua është sukses e arritur”, tha Gjiknuri./tvklan.al