Edi Rama premton se do t’i shkojë deri në fund zbardhjes së historisë së kontratave të lobimit të Partisë Demokratike përmes një kompanie në pronësi të 2 shtetasve rusë.

Kryeministri i cilëson si mishmash korruptiv kontratat e bëra nga selia blu dhe qëndrimet e mbajtura nga Lulzim Basha për të njëjtën çështje në harkun kohore të 3 muajve.

Rama ju referohet deklaratave të bëra nga kryetari i PD Lulzim Basha në emisionin opinion mbrëmjen e kësaj të enjte dhe në dhjetorin e vitit 2017.

Ajo që duhet zbardhur, thotë kryeministri, është nëse Partia Demokratike u përdor për të destabilizuar vendin. Ndërsa për përgjegjësinë penale të Bashës, është i sigurt.

 

Që është një mishmash në shkelje të hapur me pasoja penale të disa ligjeve të vendit, as kjo nuk diskutohet dhe për këtë mjafton të dëgjosh qoftë edhe vetëm këto dy prononcime krejt kontradiktore;

Që është e habitshme që të gjenden disa rusë bujarë (dhe jo vetëm rusë) që të nxjerrin nga xhepat e tyre gjysëm milionë dollarë për një parti shqiptare, as kjo nuk diskutohet që e bën mishmashin edhe më skandaloz, ligjërisht e politikisht!

Por që kjo histori s’mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund, nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë (drogëdrogëdrogëkrimkrimkrim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit europian dhe destabilizimin e vendit, kjo është absolutisht e padiskutueshme!”

Sipas kryeministrit Shqipëria nuk mund të merret dot peng nga askush pasi siç thotë, shqiptarët nuk e meritojnë këtë mishmash papërgjegjshmërie politike, ligjore dhe kombëtare.

 

Tv Klan