Më pak se dy javë pas anëtarësimit në NATO, në Finlandë ka filluar ndërtimi i gardhit të saj kufitar me Rusinë. Nga frika e “hakmarrjes” pas anëtarësimit në NATO, qeveria e Finlandës vendosi vitin e kaluar të ndërtojë gardhin për t’u mbrojtur ndaj përsëritjes së të njëjtit skenar me atë që ndodhi në Poloni në dimrin e vitit 2021.

Atë vit BE-ja akuzoi Bjellorusinë, vend aleat me Rusinë, se ishte përgjegjëse për krizën e emigrantëve. Megjithatë, deri më tani, nuk ka pasur ndonjë aktivitet të ngjashëm përgjatë kufirit të Finlandës me Rusinë, i cili shtrihet gjithsej 1300 kilometra.

E bërë nga rrjetë çeliku, ky gardh është planifikuar të mbulojë rreth 200 kilometra në pjesët më “të ndjeshme” të kufirit deri në fund të vitit 2026. Polonia dhe vendet baltike kanë filluar tashmë ngritjen e gardheve në kufijtë e tyre me Rusinë dhe Bjellorusinë pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Deri më tani, kufiri Finlandë-Rusi është ndarë vetëm nga një gardh i ulët teli që synon të ndalojë hyrjen e bagëtive  dhe kafshëve të tjera shtëpiake, por jo njerëzit.

Gardhi i ri do të jetë 3 metra i lartë dhe pritet t’i kushtojë qeverisë finlandeze rreth 380 milionë euro.

Klan News