Rama: Investim i rëndësishëm për ekonominë dhe turizmin

Pas një odiseje të gjatë, u firmos këtë të martë kontrata për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, në zonën e Akërnisë vetëm pak minuta nga segmenti Levan-Vlorë.

Ministrja e energjetikes ka firmosur me përfaqësuesin e konsorcium ku pjesa më e madhe e aksioneve 50% zotërohet nga Mabetex, kompania e biznesmenit Behgjet Pacolli, dhe 48% nga YDA Group kompani turke që po ndërton spitalin e Fierit me bazë në Ankara.

Por puna për ndërtimin e tij do të nisë vetëm pas 14 muajsh dhe arsyet i shpjegon ministrja Balluku.

“Brenda 14 muajsh fillon. Do të ketë një fazë përgatitore për studimin mjedisor, studim arkeologjik, 8 muaj për përmbushjen e kushteve paraprake si dhe dorëzimi i masterplanit do ketë dhe kargo”.

Vete Behgjet Pacolli e sheh si realizimin e një ëndrre për të investuar në Shqipëri, ndërsa kryeministri Rama si përfundimin e një makthi që siç pranon ishte më i madh dhe se sigurimi i vaksinës.

“Kisha filluar të mendoja se ishte një mallkim, sa zgjidhnim një problem na shfaqej një tjetër”.

Pasi rreshton gjithë rrugën e gjatë që ndoqi përpjekja për realizimin e këtij investimi, kryeministri vlerëson faktin se kjo vepër do të ndërtohet nga një atdhetar dhe një investitor serioz si Pacolli.

“Nuk na mori në telefon por u fut në garë si gjithë të tjerët dhe mbi të gjitha nuk vendosi garanci por të gjithë vlerën e projektit”.

Rama vazhdon t’iu kthej përgjigje oponentëve për fokusin e qeverisë së tij tek investimet për porte dhe aeroporte.

“Injorantët thonë që s’kanë bukë, por kjo është industri buke“.

Lajmëron se veç aeroportit do të ngrihet dhe akademia e Aviacionit Civil dhe se javës tjetër do të hapet gara për aeroportin e Sarandës.

Vlera e investimit për këtë vepër është 103.9 milionë Euro. Pista do të jetë 3 km dhe do të përdoret dhe për fluturimet transoqeanike, do të ketë një zone për mirëmbajtjen e avionëve, si dhe do të ketë një kargo çka do të mundësojë transportin e mallrave.

Buxheti i shtetit merr përsipër të garantojë të ardhurat minimale në 10 vitet e para nëse do të jenë më të ulta se 140 milionë Euro, nga 35 vjet që firma do të mbajë të drejtat e operimit.

Tv Klan