Grant të posaçëm për rindërtimin pas tërmetit

95 milionë euro është shuma që qeveria italiane ka dhënë në formë granti dhe kredie të butë për rindërtimin pas tërmetit të 26 Nëntorit dhe zhvillimin e disa sektorëve kyç të ekonomisë, mes të cilave edhe atë të energjisë. Marrëveshja u firmos nga ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe Ambasadori Italian në Tiranë, Fabrizio Buçi.

Sipas Ahmetajt një pjesë e grantit të dhënë nga fqinji përtej Adriatikut do të shkojë për programin e rindërtimit.

Në emër të qeverisë italianë, ambasadori Buçi tha se shuma e akorduar nga qeveria e tij ka prioritet të gjithë sektorët që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit, por në mënyrë të veçantë edhe atë të përmirësimit të flotës dhe fuqizimin e burimeve njerëzore të emergjencave civile.

Marrëveshja e nënshkruar me qeverinë italiane parashikon që kredia e butë prej 90 milionë euro do të angazhohet në sektorin e energjisë, për përmirësimin e mëtejshëm të linjave të transmetimit, në  zhvillimin e ekonomisë së detit, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe peshkimit. Miratimi i gjithë paketës pritet të bëhet brenda këtij viti.

Tv Klan