Ministria e Energjisë i jep fund polemikave për Air Albania. Pak ditë, pasi avioni me logon shqiptare u rishfaq në aeroportin e Rinasit, ministrja Balluku, tha se është firmosur tashmë marrëveshja financiare me AIR ALBANIA-n  dhe Turkish Airlines që i hap rrugë certifikimit të saj nga autoriteti i Aviacionit Civil.

 “Është punuar për të kaluar fazën e trajnimeve, për të konsoliduar fazën e testimeve teknike, për të prodhuar të gjithë letrat dhe manualet që çojnë drejt certifikimit dhe sot ishim për të kolauduar marrëveshjen financiare mes tre palëve që hap rrugën për certifikimin nga Autoriteti i Aviacionit Civil. Ky proces do të ndodhë në vijim në harkun e një jave apo 10 ditëve”.

Ndërsa Drejtori i Turkish Airlines, tha se ka përfunduar përgatitja e procesit teknik.

“ Jemi të lumtur që jemi këtu. Prej disa kohësh po punohej për infrastrukturën e Air Albania. Ka përfunduar procesi teknik dhe jemi në fazën kur po përmbyllet procesi total. Së shpejti “Air Albania” do të jetë në qiell dhe do të jetë krenaria e shqiptarëve. Sot nënshkruam dokumentet e partneritetit”.

Air Albania pritet të nisë së shpejti fluturimet ku pjesë e destinacioneve të para të fluturimeve do të jenë Roma, Stambolli dhe Londra. Më pas programit të saj do t’i shtohen edhe qytete të tjera europiane si Athina, Mynihu dhe Barcelona. Air Albania do të ulet edhe në New York duke sjellë për herë të parë linjën direkte Shqipëri – SHBA.

Tv Klan