Është firmosur sot marrëveshja mes Shqipërisë dhe Turqisë për blerjen e dronëve “Bayraktar” nga kompania turke e teknologjisë.

Në konferencën e përbashkët me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi dhe drejtuesin ekzekutiv të kompanisë turke, Rama u shpreh se përveç teknologjisë së lartë në Shqipëri po ndërtohet një fushë e re njohurish.

Duke falënderuar presidentin turk Tayip Erdogan, kreu i qeverisë theksoi se ky bashkëpunim është një tjetër urë lidhëse për të forcuar partneritetin mes dy shteteve.

Rama: Do doja ta nisja duke thënë se unë kam qenë vetëm një herë dëshmitar në dasëm në jetën time, ndodh që martesa ku kam qenë dëshmitar, ka qenë martesa e vëllait të drejtuesit ekzekutiv që është këtu. Shpresoj se si dëshmitar shpresoj kam sjellë fat por sigurisht dhëndri po i sjell ca fat vendin dhe ushtrisë tonë.

Dua t’ja nis andej nga duhet nisur për të falënderuar presidentin Erdogan i cili ka qenë thelbësor në këtë proces sepse të gjithë ne e dime se kur është fjala për dronet apo mjetet pa pilot, ka të bëjë dhe me faktin  që të jesh i aftë që të kalosh edhe të hysh në radhë sepse ajo është shumë egjatë dhe nga ana tjetër është të jesh në anën e duhur. Ne kemi fatin të jemi nga ana e duhur, të rreshtuar në aleancën më të madhe ushtarake atë të NATO-s dhe në të njëjtën kohë në një partneritet strategjik mes nesh dhe Turqisë.

Sot është një ditë shumë e mirë për ne, për ministrinë turke të Mbrojtjes, është një marrëdhënie  e natyrshme dhe e ndërtuar përgjatë viteve dhe jam i sigurt që me këtë marrëveshje nuk po sjellim këtu në Shqipëri thjesht teknologjinë më të lartë por një fushë të re njohurish.

Është shumë mirë sepse marrëveshja nuk është thjesht për të blerë dronet por ndërtimit të një ure midis Forcave tona të Armatosura dhe kompanisë. Më shumë se 30 persona do të përzgjidhen me shumë shumë kujdes me ndihmën e kompanisë dhe do jenë në trajnim, do të përgatiten për të marrë përsipër funksionimin e qendrës së kontrollit në bazën e re ajrore të Kuçovës, baza më e re e NATO-s.

Përfaqësohet gjithashtu dhe trupa turke që kanë punuar  e ndihmuar aty, më pas do të nisim të punojmë me dronët sepse siç e shpjegoi zoti Bayraktar nuk është dicka që lidhet me luftën, ne kemi nënshkruar paketën e plotë. 3 dronët që do të vijnë së pari do të jenë të armatosur dhe do të jenë gati për çdo rast, jemi në kohë jo të sigurta, që gjë shpresoj nuk do të ndodhë kurrë. Por në rast se vihet në rrezik siguria e vendit, bëhemi gati për luftë.

Marrëveshja e dronëve luftarakë, Peleshi: Do ta nisim me tre dhe do të rritemi në të ardhmen

Qeveria shqiptare firmosi sot marrëveshjen për blerjen e dronëve luftarakë pa pilot “Bayraktar”. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i pranishëm në këtë ngjarje shprehu entuziazmin për bashkëpunimin me Republikën e Turqisë dhe sqaroi se çfarë rëndësie ka kjo për vendin tonë.

Niko Peleshi: Ajo çfarë po shkruajmë e kremtojmë sot është po kështu produkt i kësaj fryme, i këtij  partneriteti strategjik që kemi me Republikën e Turqisë e po kështu përmes procedurës së marrëveshjes shtet me shtet që kemi arritur të vijmë në ditën përfundimtare të finalizimit të blerjes të tri sistemeve që janë një risi për forcën tonë ajrore i të mirënjohur dron “Bayraktar” siç i njohim në gjuhën e përditshme por njihen teknikisht si mjete ajrore pa pilot. Zoti Bayraktar, është një ndjenjë shumë e veçantë për mua si ministër i Mbrojtjes  që të realizojmë nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme me kompaninë e mirënjohur turke “Bayraktar” për blerjen e avionëve luftarakë pa pilot, një hap i rëndësishëm dhe në interes të modernizimit të FA shqiptare. Jam i sigurt se shfrytëzimi i këtyre aseteve në vendin tonë do të rrisë kapacitetet e FA dhe strukturave të Emergjencave Civile në drejtim të kontrollit të territorit dhe parandalimit të dukurive të paligjshme.

Ministri shtoi  se modernizimi i Forcave të Armatosura është në vëmendje të vazhdueshme të qeverisë shqiptare. Marrëveshja parashikon fillimisht blerjen e tre dronëve dhe flota pritet të zgjerohet në vitet e ardhshme.

Niko Peleshi: 2023 do të jetë viti kur do të nisim të ndërtojmë flotën, do të nisim me një numër të vogël dhe më pas do ta rrisim gjatë viteve që vijnë, por është viti ku me shpresë do të kemi kapacitetet e reja të këtyre mjeteve, avionëve luftarakë pa pilotë që po nënshkruajmë edhe sot. Do ta nisim me një flotë të vogël prej tre prej tyre dhe me gjasë do të rritemi në të ardhmen.

Dronët do të shërbejnë për monitorimin e vendit ndërsa do  të ketë një ndërthurje të informacionit me shërbimin satelitor që do të nisë së shpejti.Peleshi tha se do të ketë edhe një qendër madhore të teknologjisë së komunikimit për modernizimin e Forcave të Armatosura.

Niko Peleshi: Kemi krijuar tashmë strukturat me institucionet e tjera që tahsmë janë gati të përdorin pamjet dhe informacionin që do të prodhohen qoftë nga shërbimi satelitor që do të nisë së shpejti në vendin tonë, por po kështu edhe përmes pamjeve dhe informacionit të marrë nga avionë luftarakë pa pilot të cilët do t’i kemi si të tilla.

Kemi pasur diskutim mjaft produktiv sot me zotin Bayraktar jo vetëm lidhur me këtë ngjarje të veçantë dhe marrëveshjen që po nënshkruhet sot, por po kështu edhe tjetër mbështetje që kompania mund të na ofrojë sa i takon novacionit, mirëmbajtjes, po kështu edhe projekteve të cilat mund të shkojnë përtej kufijve tanë kombëtarë, mund t’i shërbejnë edhe vendeve të tjera,  pse jo. Ndoshta në të ardhmen mund të kemi edhe transferim të disa prej teknologjive të Bayraktar-it këtu në mënyrë që montimin apo pjesë të segmentit mund t’i bëjmë shpejt në Shqipëri sepse shumë shpejt do të kemi një qendër madhore, shumë të madhe të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit që do të modernizojë FA me kapacitete e mundësi të reja, por nga ana tjetër do të edukojmë teknologjitë e reja, aftësitë e reja fëmijët e të rinjtë tanë dhe ndoshta Republika e Turqisë e cila ka mjaft përvojë dhe kompania “Bayraktar”, përmes këtij bashkëpunimi që po nisim sot mund të jetë një nga aktorët e këtij sistemi novacioni që po planifikojmë të ndërtojmë këtu në Tiranë, në Shqipëri e që është konceptuar për të qenë jo vetëm  kombëtar, por edhe rajonal.

Shqipëria blen dronët “Bayraktar”, drejtori i kompanisë turke: Aset i rëndësishëm për të ardhmen

Drejtori ekzekutiv i kompanisë turke të dronëve “Bayraktar” u shpreh sot se ai dhe stafi i tij do të bëjë të pamundurën që Shqipëria të përfitojë sa më shumë nga kjo marrëveshje. Ai theksoi se bashkë me kryeministrin Edi Rama do të punohet për një ndërtimin e një qendre teknologjike të quajtur “Science Tirana”.

Bayraktar: I nderuar kryeministër dhe ministër, pikësëpari do të doja të shprehja mirënjohjen ndaj jush. U ndjeva vërtet si në shtëpi këtu, është një nder i madh që gjendem sot me ju. Kemi kohë që punojmë me këtë projekt dhe jemi vërtet krenar për të. Ju do të merrni përfitimin më të mirë të kësaj teknologjie të lartë e të sofistikuar që është në fakt më e avancuara në klasën e vet.

Vendi ynë ka një marrëdhënie mjaft të gjatë historike, kemi marrëveshjen vëllazëore dhe atë të partneritetit strategjik. Jemi këtu për t’ju mbështetur që t’i mbajmë sistemet sa më të përditësuara. Këto teknologji janë vërtetuar si asete shumë të rëndësishme në të ardhmen, nuk janë vetëm për luftën por edhe në kohë paqeje për qëllime të ndryshme. Ne shpresojmë që kjo teknologji të hapë një epokë të re të marrëdhënieve tona, që sjell përfitim Shqipërisë dhe kështu do ngremë një qendër shërbimit këtu. Do doja po kështu të ndërtonim një qendër “Science Tirana” nga fondacioni ynë turk i teknologjisë. Sëbashku me kryeministrin duam ta nisim këtë projekt, dhe kushedi ndoshta ne po organizojmë festivalin më të madh të hapësirës teknologjike. Do doja të ngrinim dhe një festival tekno, dhe ju garantoj se unë edhe ekipi do të punojmë për më të mirën për Shqipërinë.

Firma ‘Bayraktar Technology’ është e specializuar në hartimin e teknologjive transformuese në fushën e mbrojtjes dhe aviacionit. Pajisja me këta avionë do t’u ofrojë institucioneve të tjera të qeverisë shqiptare një mbështetje të madhe në nivel operacional, në fusha të ndryshme./tvklan.al