Ditën e sotme në kuadër të Samitit Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, u nënshkrua marrëveshja mes Kolegjit të Europës, Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Tiranës për shtëpinë e re të Kolegjit të Europës që do të hapë dyert në Tiranë.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje pritet të garantojë funksionimin e plotë të Kolegjit, duke nisur që prej këtij viti akademik deri në përfundimin e kampusit të ri.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Gjatë fjalës së saj para nënshkrimit të marrëveshjes Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini u shpreh se ka patur një interes shumë të lartë nga ana e të rinjve për të zhvilluar studimet në këtë Kolegj.

Frederika Mogerini: Kjo është hera e parë që nënshkruaj diçka në Tiranë duke përfaqësuar subjektin juridik të ngritur në Shqipëri që është dega shqiptare e Kolegjit të Europës. Në njëfarë mënyre është një hap më tej edhe në kuptimin ligjor. Në këto 5 muaj kemi bërë shumë gjëra. Viti i Ri akademik nis në shtator me 31 studentë. Kemi çelur procesin e pranimit në Tetor dhe sot kemi marrë 241 aplikime për 31 vende nga 41 kombësi. Nga i gjithë rajoni nga vendet e BE-së dhe 15 të tjera. Kontrolluam dhe përzgjodhëm më të mirët. Ky projekt po haset me entuziazëm ta jashtëzakonshëm edhe në Korpusin studentor. Janë nga kombe të përgjithshme ka pasur shumë interes në mbarë rajoni nga studentë nga vendet anëtare të BE-së.

Do të nisim me aktivitete të ndryshme. Dy javët e para trajnim duke shfrytëzuar mjediset e gatshme. Jo vetëm program master por edhe trajnim të zyrtarëve në rajon dhe përtej tij. Brenda 5 muajve do të kemi një histori të konsoliduar suksesi përfshirë dhe idenë fillestare për shtëpinë përfundimtare të kolegjit këtu në Tiranë.

Gjithashtu ishte edhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi i cili foli lidhur me këtë marrëveshje ku u shpreh se ky projekt do të sjellë ndryshim në jetën ekonomike në Ballkan.

Oliver Varhelyi: Në thelb, pra Tirana do të bëhet edhe më popullore se Bryzhi dhe moti është shumë herë më i mirë. Ndaj mendoj se ajo çfarë do të ndërtohet edhe nga pikëpamja arkitekturore do të jetë diçka që do të ndryshojë shumë edhe jetën ekonomike këtu në Ballkan. Siç e keni parë shumica e aplikimeve vijnë nga vetë BE-ja. Kjo tregon vlerën e jashtëzakonshme të shtuar që do të ketë ky institucion, jo vetëm për Ballkanin, por edhe për ne në Bashkimin Europian. Kjo nënkupton se BE-ja ka mbërritur në Tiranë./tvklan.al