Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim do të ofrojë një kredi sovrane në vlerën e 98.75 milionë eurove për qeverinë shqiptare me qëllim rehabilitimin dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zëvendëskryeministrja Balluku e cilëson këtë projekt si të rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin.

Zëvendëskryeministrja, njofton gjithashtu se gjatë Samitit u diskutua edhe mbi sektorin energjetik, ku Shqipëria prezantoi nismat e ndërmarra, si dhe praktikat e ndjekura me zhvillimin e ankandeve.

“Shqipëria është një nga ato vende e cila merret si shembulli i ekselencës përsa i përket të gjitha ankandeve të energjisë që ne kemi organizuar dhe tre prej tyre tashmë kanë marrë jetë. Ndërkohë që ndamë me të gjithë investitorët, përfaqësuesit e sistemit bankar dhe sigurisht të gjithë partnerët e tjerë të cilët na kanë mbështetur në rrugëtimin tonë se kush janë planet për të ardhmen”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se BERZH shprehu interes për të mbështetur Shqipërinë edhe në projekte të tjera të rëndësishme. 

“Ata janë të interesuar që të mbështesin edhe zhvillimet dhe investimet në sektorin e ujit dhe të kanalizimeve, por sigurisht edhe në transportin e gjelbër, si një nga alternativat më të rëndësishme, sidomos për Shqipërinë pasi të gjitha emetimet e dioksidit të karbonit në vendin tonë vijnë vetëm nga transporti rrugor”, u shpreh Balluku.

Ky projekt shënon investimin e dytë të Bankës në hekurudhë në Shqipëri pas një kredie prej 36.9 milionë Eurosh për seksionin Tiranë-Durrës, i cili aktualisht është në ndërtim e sipër.

Tv Klan