Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski shpallet në kërkim, pas urdhrit të lëshuar nga Gjykata e Shkupit për arrestimin e tij. Këto janë momentet kur oficerët e policisë kontrolluan banesën e ish-kreut të VMRO-DPMNE.

Por ish-kryeministri nuk ndodhej në shtëpi. Mësohet se bashkëshortja ka thënë se nuk e ka takuar prej së premtes. Kërkime janë bërë edhe në zyrat e partisë. Ai ka refuzuar t’i dorëzohet vullnetarisht drejtësisë. Fotografia e Gruevskit u publikua gjithashtu edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, në listën e personave në kërkim. Gruevski besohet se ndodhet brenda vendit pasi më herët gjykata i ka sekuestruar pasaportën. Për shkak të statusit si ish-kryeministër ai ruhet nga truproja shtetërore, por në bazë të ligjit ato e kanë të ndaluar të tregojnë vendndodhjen e tij.

Pas kësaj ngjarje reagoi edhe partia e Gruevskit, VMRO-DPMNE. Për forcën më të madhe opozitare në Maqedoni, kërkesa për arrestimin e ish-liderit të saj është një inskenim politik i kryeministrit Zoran Zaev.

Nikolla Gruevski është dënuar me 2 vjet burg nga gjykata e Shkupit, për rastin e njohur si “Tanku”, akuza për abuzim me fondet publike lidhur me automjetin tip Mercedes-Benz të përdorur nga ai.

Gjatë ditës, avokatët mbrojtës tentuan të anulonin ekzekutimin e arrestit të Gruevskit, por pa rezultat. Tashmë ish-Kryeministrit i mbetet si shpresë e vetme falja nga presidenti Gjorge Ivanov, por juristët thonë se nëse kjo ndodh do të ishte shkelje e Kushtetutës.

Tv Klan