Denaj: Në 2021 faturë elektronike edhe në zyrat e shtetit

Qeveria po punon që të krijojë një aplikacion falas për biznesin e vogël me xhiro deri në 2 milionë lekë, i cili do t’i shërbejë atij për shënimin e faturës elektronike, aplikacion i cili do të zëvendësojë kasën fiskale.

Në mbledhjen e Këshillit të Investimeve, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, tha se procesi i fiskalizimit synon që të shkurtojë kohën e bizneseve për të bërë raportimin në fund të ditës në drejtorinë e Tatimeve, duke mundësuar raportimin e transaksionit në kohë reale.

Në Janar procesi do të nisë fillimisht me faturat mes biznesit dhe konsumatorit, ndërsa në vitin 2021, do të përfshihen edhe faturat biznes me biznes dhe biznes me institucionet publike.

“Procesi i implementimit të projektit të fiskalizimit nuk është vetëm Janari 2020, por është një proces më i gjatë që finalizohet në vitin 2021 dhe përfshin disa marrëdhënie: marrëdhëniet biznes me klient, marrëdhëniet biznes me biznes dhe transaksionet jo kesh që kalojnë nëpërmjet sistemit bankar dhe marrëdhëniet biznes me qeveri, me synimin që gjitha faturat të jenë elektronike në vitin 2021.”

Ministria e Financave shtyu deri më datën 15 Shtator konsultimin e ligjit për “Faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, ndërsa u kërkoi grupeve të biznesit që të sjellin pikëpamjet e tyre përpara se ky draft të kalojë për miratim në parlament.

Me sistemin e ri, çdo transaksion shitje do të raportohet direkt në sistemin e Tatimeve, duke zëvendësuar kështu kasat fiskale. Bizneset që sot i kanë kasat, mund të instalojnë të dhënat e sistemit të ri që ato të bëhen funksionale.

Tv Klan