Tatimet: Deri tani me sistemin e ri, 107 mijë fatura

Pavarësisht se bizneset e vogla nuk do të jenë pjesë e skemës së tatimit mbi vlerën e shtuar, ata sërish do të jenë të detyruar që të zbatojnë platformën e fiskalizimit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se për këtë kategori do të nisë që prej fillimit të marsit një fushatë informuese në terren, për t’u shpjeguar se si do të kryhet procesi.

Edhe pse sipërmarrjet e vogla nuk kanë ngarkesë tatimore TVSH-je, ato sërish duhet të vazhdojnë të lëshojnë fatura me TVSH zero, ndërsa me zbatimin e procesit të fiskalizimit, kasa fiskale do të duhet të ndryshohet me platformën e re.

Në korrik bizneset do të duhet të lëshojnë fatura me njëri-tjetrin përmes sistemit të ri të faturës elektronike dhe në shtator ky sistem do të implementohet edhe për faturat me konsumatorin.

Aktualisht fiskalizimi është duke funksionuar me subjektet që kryejnë aktivitet me entet publike. Në total janë 1.350 tatimpagues që e kanë përdorur këtë sistem, nga 7600 biznese që kanë marrëdhënie financiare me institucionet publike.

Deri më sot përmes sistemit të ri janë lëshuar 107 mijë fatura. Kostot për këtë proces variojnë nga 147 euro për ata që do të përshtatin kasën fiskale me sistemin e ri, në 312 euro për ndërmarrjet që instalojnë softwarin në kompjuter, e deri në 792 euro për bizneset e mëdha.

Tv Klan