Haxhi: Në 2021 raportim në kohë reale me sistemin e ri i

Nga 1 Janari i vitit të ardhshëm të gjithë bizneset të cilët kryejnë shitje të mallrave e shërbimeve te qytetarët do të përdorin sistemin e ri të deklarimit të shitjeve, i cili do të raportojë direkt te serveri i tatimeve.

Aktualisht bizneset të cilat shesin një mall dhe presin faturën, e deklarojnë transaksionin në fund të ditës, çka mund të lerë të hapur mundësinë për të fshehur të ardhurat.

Zv/ministri i Financave Elton Haxhi thotë se kjo platformë nuk do të ketë asnjë kosto shtesë për biznesin, dhe mund të instalohet edhe brenda kasave fiskale që përdorin aktualisht bizneset.

 “Edhe sot që flasim nëse ndodh një shitje çdo biznes përdor kasën fiskale ndryshimi ndodh përtej veprimeve manuale që kryejnë bizneset, pra ndryshimi që ne po implementojmë ndodh në teknologji. Në momentin që ai do shtypë kasën, në këtë moment ndodh transmetimi dhe kjo nuk përkon me ndonjë veprim të tepërt shtesë nga biznesi, do jetë thjesht një sistem teknologjik që do ofrohet”.

Platforma e njohur si fiskalizimi do të mbyllë fazën e konsultimit me bizneset në shtator, ndërsa do të depozitohet në parlament në tetor në mënyrë që t’i lihet kohë strukturave të administratës tatimore që të informojnë ndërmarrjet për mënyrën e përdorimit. Në vitin 2021 kjo platformë do të implementohet edhe për transaksionet që kanë bizneset me njëri –tjetrin.

 “Projekti është parashikuar që të ketë disa faza. Në 2020 do të fillojë implementimi me transaksionet me para në dorë dhe në 2021 dhe me business to business”.

Aplikacioni i sistemit të ri do të jetë falas për të gjithë bizneset dhe do të printojë kupon tatimor me të gjithë elementët e sigurisë që të vërtetojë që biznesi po përdor sistemin e ri të fiskalizimit.

Tv Klan