Është xhekpoti më i madh në historinë e SHBA. Një biletë lotarie në Karolinën e Jugut me vlerë 1.6 miliardë Dollarë është fituar nga një person. Numrat e lotarisë ishin 28, 70, 5, 62, 65. Shanset për përzgjedhjen e këtyre numrave ishin një në 300 milionë. Biletat për megallotarinë u shitën në 44 shtete amerikane.

“Momenti i shumëpritur më në fund mbërriti dhe jemi tepër të kënaqur. Jemi shumë të lumtur për fituesin, dhe mezi presim të takojmë fatlumin”,

tha Gordon Medenica, drejtor i “Mega Millions Group”.

Por kush është fituesi i lotarisë prej 1.6 miliardë Dollarë, kjo mund të mbetet anonim për publikun. Karolina e Jugut është një nga 8 shtetet amerikane ku fituesit e lotarive mund të mbajnë të fshehtë anonimatin për publikun.

Fituesi mund të vendosë që t’i marrë të gjitha paratë, që përllogariten të jenë 913 milionë Dollarë bashkë me taksat, ose mund të zgjedhë që të paguhet me këste për mbi 29 vjet.

/tvklan.al