Në vijim të operacionit policor të koduar “Transferta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, finalizuar një muaj më parë, u bë edhe arrestimi i një tjetër personi, duke e çuar në 10 numrin e të arrestuarve.

Nga shërbimet e Policisë u bë kapja e shtetasit Sh. B. 29 vjeç dhe ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Gjykata, e cila ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

29-vjeçari në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, për një periudhë 1-vjeçare, ka ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro.

Vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. /tvklan.al