Luljeta, bashkëshortja e Besnikut, i cili e ka sjellë në “Ka Një Mesazh Për Ty”, nuk është aspak në dijeni se pak ekranit në “E diela shqiptare” në Tv Klan, ndodhet ai. Deri më tani, ajo ka përmendur të gjitha alternativat e mundshme, por nuk beson në asnjë moment se mund të jetë bashkëshorti i saj. Aq më tepër që të ndodhet pas tij me një tufë me lule sepse nuk i ka dhuruar kurrë në jetë ndonjë të tillë.

Ndaj, habia kur sheh Besnikun është e papërshkruar. E kapur në befasi, Luljeta nis të lotojë dhe të flasë e para duke i shprehur mirënjohje shokut të saj të jetës.

Luljeta: Jam shumë mirënjohëse se pësova diçka, një problem me shëndetin tim dhe më ka ndenjur pranë. Pata një sëmundje me veshkat dhe bëra 6 vjet dializë. Pastaj veshka u gjet dhe shyqyr kam 7 vjet, bëra transplant veshkash dhe i jam shumë mirënjohëse Zotit dhe burrit tim që më ndenji pranë dhe ata 3 fëmijë që i kam si yje.

Luljetës vijon t’i duket e pabesueshme situata, por është radha e Besnikut t’i përçojë mesazhin e tij.

Besnik: Siç më falënderove ti që të kam ndenjur pranë, të falënderoj edhe unë sepse ajo që të kam sjellë këtu është se të dy jemi ndodhur afër njëri-tjetrit. Nuk u ndodha vetëm unë pranë teje, por u ndodhe edhe ti pranë meje. Të dy e kaluam atë vështirësi, edhe me fëmijët, edhe me sëmundjen, edhe me jetën e përditshme. Edhe sot, se jeta nuk është mjaltë, edhe sot ka vështirësi, prapë bashkë i kalojmë.

Sado që ke kaluar, prapë punon, prapë mbështet ekonominë e familjes dhe nuk kisha mundësi ndoshta në jetën e përditshme të thosha, më thoshe “burrë faleminderit se më ke ndihmuar” dhe unë të thosha hë moj grua se edhe ti më ke ndihmuar dhe e kalonim si të përditshme. Por desha të të sillja këtu në emisionin e zoti Ardit, sa herë e shikonim thoshe “kur do vijë ajo ditë që neve do na bëjë njeri ndonjë mesazh?”

Luljeta: Po, po.

Besnik: S’ka nevojë të na e bëjë njeri, ia bëjmë njëri-tjetrit ne.

Luljeta: Bravo, bravo.

Besnik: Për çështjen e luleve, sa herë ishte festë, kishe ditëlindjen, më thoshe “hë more burrë nuk më solle ndonjë lule?” Unë si të thosha, grua unë s’jam i luleve. I shkruajta edhe ato që më thoshe, i mblodha të gjitha e t’i solla këtu. Të gjitha ato lule që nuk t’i kam dhënë atëherë..

Luljeta: Po mi sjell tani.

Besnik: T’i bëra të gjitha bashkë këtu e t’i kam dhënë sot, do t’i jap sot e nga këtej e tutje do t’i jap një nga një./tvklan.al