Veliaj: Bota nuk është zhvilluar nga shpifja

Një kompjuter për shkollën 16 Shtatori në Pezë, është blerë nga Kryebashkiaku Erion Veliaj me paratë e dëmshpërblimit nga gjyqi i fundit i fituar për shpifje ndaj Partisë Demokratike. Veliaj tha se kjo është një dhuratë simbolike, e cila do t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë gjuhën e kompjuterit, por nga ana tjetër, është edhe një dëshmi se shpifjet dhe intrigat nuk të çojnë askund.

“Është vlera e një gjyqi të fituar për shpifje. Dua që ky kompjuter apo edhe të tjerë që do të pasojnë, për ta kompletuar klasën e teknologjisë së informacionit në shkollën “16 shtatori” në Pezë, të jenë edhe një dëshmi e një mentaliteti që duhet ndryshuar. Pra, duhet të kuptojmë se nuk ecet përpara me shpifje, me tallje, me intriga, me thashetheme, me llogje apo duke ngrënë fara”,

Për Kryebashkiakun Veliaj, energjia negative e kulturës së shpifjes dhe e përfoljes së njerëzve pa fakte, duhet të kthehet nga ves në virtyt, në një produkt si kompjuteri, i cili nesër do të mësojë fëmijët.

“Bota nuk është zhvilluar nga shpifja, por nga puna, nga përpjekjet. Shpresoj shumë që të jetë një kontribut për të futur një kulturë komplet të re. Nëse doni një jetë të suksesshme, por të vështirë, do të duhet që dikujt që shpif t’i tregoni vendin, dhe pastaj të lejoni që puna juaj të flasë më shumë se rrenat dhe shpifjet”.

Për të gjitha gjyqet e fituara për shpifje me Partinë Demokratike, Veliaj ka ndjekur të njëjtin shembull, duke blerë me paratë e dëmshpërblimit kompjutera për nxënësit e shkollave të qytetit.

Tv Klan